Transmetuar më 14-09-2021, 10:20

Trajneri i PSG, Mauricio Pochettino, në një intervistë për UEFA.com, analizoi merkaton e jashtëzakonshme që klubi i tij ka kryer kësaj vere. Messi, Ramos, Achraf…, janë emra për të cilët flet trajneri argjentinas.

Lionel Messi – "Ndoshta nuk jam personi më i mirë për ta përshkruar. Ka shumë më tepër njerëz që kanë një fjalor më të pasur për ta përshkruar atë më afër realitetit që meriton. Leo gjithmonë do të konsiderohet ndër më të mirët në botë. Është përshtatur shumë shpejt me ne dhe është stërvitur mjaft mirë, duke u përpjekur të arrijë nivelin e tij maksimal sa më shpejt të jetë e mundur.

Personalisht nuk mendova se ishte e mundur që të nënshkruante për ne. Kur mundësia u shfaq, gjithçka u krye kaq shpejt. Mes nesh të dyve ekziston lidhje e shumëfishtë: jemi nga Argjentina, jemi nga Newell’s, jemi nga Rosario. Gjithashtu, e kam admiruar për një kohë të gjatë, qysh kur e përballa me të si rival, sikurse tani që stërvitet me ne. Shpresojmë që së bashku të arrijmë atë që dëshiron klubi".

Sergio Ramos – "Sergio është gjithashtu një lojtar që besojmë se mund të na ndihmojë me përvojën e tij. Ai ka fituar gjithçka, ashtu si Leo. Është mirë ta kesh atë në klub për gjithçka që mund të ndajë me shokët e skuadrës. Mjafton të kujtoni gjithçka që fitoi me Real Madridin për të kuptuar me sa ndikim është".

Georginio Wijnaldum – "Ai ka qenë kapiten i kombëtares holandeze, ka fituar gjithçka me Liverpool, por ka ende shumë futboll për të luajtur. Mund të luajë në pozicione të ndryshme, por pa humbur konkurrencën e tij, duke kuptuar thellësisht lojën dhe duke shfaqur një nivel të lartë për sa i përket teknikës dhe forcës”.

Barcelona | Transfer Market: Pochettino will try to bring Messi to PSG |  Marca

Gianluigi Donnarumma – "Ne tashmë e kemi parë atë të kurorëzohet MPV i Europianit të kësaj vere dhe të fitojë titullin me Italinë. Mendoj se profili i tij dhe mosha e bëjnë një nga portierët më të mirë në botë".

Achraf Hakimi – "Achraf është një lojtar i ri, të cilin e kam ndjekur që kur isha te Tottenham. Ne ishim gati ta merrnim te Tottenham, por më pas shkoi të luante për Dortmund. Ka një aftësi të madhe për të vrapuar, potenciali i tij fizik është i madh. Ai është i ri, po piqet në mbrojtje, por kontribuon shumë edhe në sulm".

Shumë yje, po ekipi – "Ne besojmë se të gjithë lojtarët mund të jenë të pajtueshëm, se mund të krijojmë një grup vërtet të mirë për të punuar. Një grup, ku respekti është fjala kyçe. Ne kemi një grup ku shumica e lojtarëve meritojnë të jenë titullarë, por për fat të keq vetëm 11 mund të startojnë. Dhe ata që nuk luajnë do të duhet të mbështesin ekipin, të punojnë për të qenë në gjendje të luajnë ndeshjen tjetër, të tregojnë se kanë nivelin për të konkurruar".

Për Ligën e Kampionëve – "Është një kompeticion vërtet i paparashikueshëm, por një nga më tërheqësit në botë për t’u luajtur. Megjithatë, duhet të jesh me fat për ta fituar atë. Të gjitha ekipet që marrin pjesë në Ligën e Kampionëve janë të fortë. Në të gjithë Europën (Anglia, Spanja, Italia, madje edhe Gjermania e Franca) kanë bërë investime të mëdha për ta fituar atë. Nuk ka asgjë më të mirë sesa të marrësh pjesë në të. Kur skuadra mendon për këtë garë, gjithmonë nënkuptohet përgjegjësia dhe presioni. Ne jemi ata që kemi mundësinë të jemi pjesë e historisë, ta jetojmë këtë përvojë dhe ta shijojmë".