Transmetuar më 14-09-2021, 10:37

Pas barazimit të së dielës në fushën e Sampdoria, tashmë ka ardhur koha që Interi të kthehet te suksesi. Në fakt, ekipi kampion italian do debutojë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve 2021-2022 të mërkurën në mbrëmje, teksa pret Real Madridin.

Një sfidë shumë prestigjioze i pret zikaltrit, një ndeshje e madhe që Simone Inzaghi e paralajmëroi të tillë në konferencën e zakonshme për shtyp: “Ajo që ndodhi në edicionet e tjera, përfshirë ndeshjet e fundit kundër Real Madridit, i përket së kaluarës.

Ne kemi një mundësi të shkëlqyeshme për të shkruar një faqe të bukur për të tashmen tonë. Nesër fillojmë Champions-in, nuk do të jetë një grup i lehtë, por qëllimi është të kualifikohemi më tej”.

Interi, në tri paraqitjet e fundit, nuk arriti ta kalojë fazën e grupeve, ndërsa Inzaghi arriti në 16-she me Lazion në edicionin e fundit të Ligës së Kampionëve: "Përvoja është shumë e rëndësishme në lojëra të tilla.

Ne e dimë që nga dita e shortit se grupi nuk është i lehtë, sepse përveç Real Madridit janë edhe dy skuadra që do të bëjnë gjithçka për të na vënë në vështirësi. Jemi rikuperuar pas ndeshjes në Genoa, kemi edhe stërvitjen e sotme për t’u përgatitur më mirë për një ndeshje që do të jetë shumë e pabesë.

Do të përballemi me një ekip që ka një histori të madhe, një trajner të madh dhe lojtarë të mëdhenj, por duam ta përballojmë atë në mënyrën më të mirë”.