Transmetuar më 14-09-2021, 21:48

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka zhvilluar një takim falenderimi me përfaqësuesit socialist në Elbasan.

Balla thotë se puna do të vijojë edhe për fitoren e PS në zgjedhjet lokale të 2023 dhe ato parlamentare të 2025.

Taulant Balla ishte i renditur në listën e PS për zgjedhjet e 25 prillit i teti dhe doli deputeti më i votuar në rang republike me mbi 20 mijë vota.

STATUSI NGA TAULANT BALLA

Elbasan📍Falenderimi për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë me të cilët kemi punuar ngushtësisht dhe natyrshëm do të punohet edhe në vazhdim për fitoren e Partisë Socialiste🌹🇦🇱 në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe ato parlamentare në 2025.

Gjiknuri: Dua një tjetër rekord në zgjedhjet e radhës

Pasditen e sotme, Taulant Balla që tashmë do të udhëheqë skuadrën e qarkut të Fierit, i kaloi “stafetën” Damian Gjiknurit si drejtues politik në Elbasan.

Gjatë prezantimit me strukturat, ishin të pranishëm edhe Sekretari i ri Organizativ Blendi Klosi dhe ministrja Kushi, deputete e qarkut të Elbasanit.

Gjiknuri u shpreh se Elbasani ka pasur një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet e fundit dhe tani është koha për mbajtjen e premtimeve dhe riorganizimin e partisë për sfidën e radhës, që janë zgjedhjet lokale.

“Kënaqësi të rikthehem sërish në Elbasan, Qarkun ku nisa rrugëtimin tim si deputet i Partisë Socialiste. Bashkë me Taulantin, Evisin dhe Blendin takuam strukturat drejtuese në parti e pushtet vendor.

Përgjegjësinë e dhënë në Asamblenë Kombëtare për drejtimin e këtij Qarku do ta përkthejmë sëbashku në punë e përkushtim maksimal. Elbasani ka patur një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet e fundit.

Është koha që fryma e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, përmbushja e premtimeve ndaj çdo qytetari dhe ri-organizimi i Partisë Socialiste në çdo nivel të na garantojnë një tjetër rezultat rekord në zgjedhjet e radhës.

Jam besimplotë se do të çojmë përpara punën e mirë dhe do t’ia dalim” shkruan Gjiknuri.