Transmetuar më 16-09-2021, 12:30

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha deklaroi sot në Parlament se në Shqipëri kanë humbur jetën 16 mijë qytetarë të infektuar me koronavirus.

"16 mijë. 16 mijë shqiptarë vdiqën nga pandemia deri tani", u shpreh z.Basha. Edi Rama nuk e komentoi shifrën.

Deklarata e Bashës u bë ndërsa kryeministri Edi Rama shpaloste në Kuvend, në seancë plenare, programin e qeverisë së re dhe po evidentonte arritjet sipas tij në përballimin e pandemisë.

Ndërsa qeveria thotë se deri dje numërohen 2557 të vdekur, të gjithë e dinë se kjo shifër është një mashtrim që është pranuar edhe nga autoritetet, përfshirë kryeministrin dhe ministren e Shëndetësisë. Ata kanë pranuar publikisht se shifrat zyrtare janë larg realitetit.

Por si bëhet mashtrimi me shifrat? Zyrtarët shëndetësorë numërojnë vetëm të infektuarit që vdesin në spitalet kovid të cilët në momentin që kanë vdekur rezultojnë pozitivë. Asnjë tjetër nuk regjistrohet në shifrat zyrtare.

Por gjithkush e di se në spitalet kovid kanë vdekur edhe njerëz të tjerë nga koronavirusi edhe pasi tamponë të tjerë u kanë dalë nga negativë. Gjithashtu kanë vdekur në spitalet e tjera, në banesat e tyre.

Plot të tjerë kanë vdekur në spitalet private brenda dhe jashtë vendit. Pa folur pastaj për mijëra shqiptarë që kanë vdekur në vendet ku jetojnë.

Çështja është sa janë shifrat reale të viktimave nga kovidi. E vërteta mesa duket nuk do të merret vesh kurrë. /noa.al