Transmetuar më 17-09-2021, 11:17

Ai humbi ndeshjen e Ligës së Kampionëve në “Anfield”, por shpreson të jetë në gjendje të shërohet në kohë për sfidën e madhe të së dielës kundër Juventusit në Serie A. "Unë jetoj nga dita në ditë, kam një problem të vogël me tendinën, – tha Zlatan Ibrahimovic gjatë prezantimit të rezultateve të "Mind the gum", ku ai është partner.

– Nuk dua të rrezikoj, nuk dua të humbas aq ndeshje sa sezonin e kaluar kur e bëra atë brenda dhe jashtë fushës. Nuk dua të bëj gabime, dëgjoj trupin tim pa menduar se jam Superman. Problemi im është se punoj shumë, sepse më pëlqen të vuaj.

Me përvojën dhe vitet e kaluara duke luajtur kuptova se koka është shumë e rëndësishme. Koka thotë vetëm përpara, por trupi nuk më ndjek gjithmonë. Kur koka është më e fortë se trupi, jo gjithmonë gjërat shkojnë mirë, por le të provojmë”.

Sulmuesi kuqezi iu kthye disfatës së pësuar pardje nga shokët e tij të skuadrës në “Anfield”: "Sekreti është të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë për të arritur në majë dhe për të qëndruar atje. Tani duhet të sakrifikojmë veten për ta bërë këtë, cilësia është brenda grupit.

Pardje ishte hera e parë në Ligën e Kampionëve për shumë shokë të skuadrës, tani ata e kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë. Unë nuk jam duke thënë se përfundojmë të dytët. Falë meje, shokët e skuadrës e kanë kuptuar se çfarë duhet për të arritur atje ku arritëm sezonin e kaluar. Diçka mungon, ekipi e di, ndaj punojmë çdo ditë për t’u përmirësuar. Djemtë janë të uritur, madje edhe të rinjtë e kanë kuptuar mentalitetin e skuadrës".

Në fund, një shaka për Superligën Europiane: "Çfarë mendoj? Pyetja e parë duhej të na bëhej ne lojtarëve. Kësisoji, kush e shpiku atë tashmë ka bërë një gabim të madh duke mos na kërkuar opinion. Jemi ne lojtarët që duhet të dalim në fushë, jo presidentët”.