Transmetuar më 17-09-2021, 12:19

"Nuk ka dy zjarre të njëjtë. Ka zjarre të mëdhenj, zjarre të vegjël dhe zjarre të të gjitha ngjyrave. Ka njerëz me zjarr paqësor, të cilët as nuk duan t’ia dinë për erën. Dhe njerëz me zjarr të çmendur, të cilët mbushin ajrin me shkëndija. Disa zjarre, zjarre budallenj, nuk ndizen apo digjen. Por të tjerët e djegin jetën me një pasion të tillë, saqë nuk mund t’i shikosh pa i hapur sytë dhe kushdo që i afrohet ndriçohet”.

Me këto fjalë të shkrimtarit uruguajan Eduardo Galeano, profili zyrtar në Instagram i Diego Maradonës, i vdekur prej nëntorit të vitit të kaluar, është rikthyer aktiv, pas postimit të fundit të publikuar më 31 tetor 2020, disa javë para ndarjes nga jeta.

"Fëmijët tuaj, – vijon postimi, – duan që zjarri juaj i pakrahasueshëm të mos shuhet kurrë dhe kujtesa juaj të mbetet përgjithmonë. Kjo është arsyeja pse ne do t’i mbajmë rrjetet tuaja sociale aktive, në mënyrë që të gjithë ata që ju duan dhe ju admirojnë të kenë një vend ku t’ju japin nderimet që meritoni”.

Fotografia me mbishkrimin "Maradona" në Instagram bashkohet me një postim tjetër identik, në Facebook, të një jave më parë. Shumë njerëz kanë filluar të pyesin çfarë po ndodh; nëse në këtë pikë profilet sociale të "Pibe de Oro" do të jenë përsëri aktive në kujtim të tij dhe, mbi të gjitha, kush po i menaxhon ato.

Ndërkohë, nderimi “social” ndaj Maradonës arriti me një video të publikuar nga profilet e Napolit, sepse pikërisht më 16 shtator 1984, plot 37 vite më parë, kampioni argjentinas bëri debutimin e tij në kampionatin italian, në stadiumin Bentegodi të Verona (në humbjen 3-1 kundër Hellas).