Transmetuar më 17-09-2021, 12:28

SHBA dhe Britania e Madhe po përballen me kritika ndërkombëtare në rritje për një pakt të ri sigurie të nënshkruar me Australinë, raporton noa.al duke cituar BBC.

Marrëveshja – e parë si një përpjekje për të kundërshtuar Kinën – do të bëjë që SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar t’i japin Australisë teknologjinë për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.

Por ky veprim zemëroi Francën, e cila tha se ishte "goditur me thikë në shpinë", ndërsa Kina akuzoi tre fuqitë se kishin një "mentalitet të Luftës së Ftohtë".

Tani, pakti ka ngritur frikën se mund të provokojë Kinën që të përfshihet në një luftë.

Aleanca, e njohur si Aukus, u njoftua nga Presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologu i tij australian Scott Morrison të mërkurën.

Ndërsa ata nuk e përmendën Kinën, Aukus po shihet gjerësisht si një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Pekinit në Detin e kontestuar të Kinës Jugore.

Johnson më vonë u tha deputetëve se marrëveshja "nuk kishte për qëllim të ishte kundërshtare" ndaj Kinës.

Por kryeministri u pyet nga paraardhësit e tij, Theresa May, nëse marrëveshja mund të çojë në tërheqjen e Britanisë në luftë me Kinën.

Ajo pyeti kryeministrin për "implikimet" e partneritetit në rast të një pushtimi kinez të Tajvanit.

Johnson u përgjigj: "Mbretëria e Bashkuar mbetet e vendosur për të mbrojtur ligjin ndërkombëtar dhe kjo është këshilla e fortë që do t’u jepnim miqve tanë në të gjithë botën dhe këshilla e fortë që do t’i jepnim qeverisë në Pekin."

Tajvani demokratik e sheh veten si një shtet sovran, por Pekini ka rritur presionin mbi ishullin të cilin e shikon si një provincë të shkëputur.

"Një moment shqetësues"

Ndërkohë Uashingtoni është përpjekur të shuajë zemërimin në Paris ndaj paktit, i cili ka shpërfillur një marrëveshje shumë-miliardëshe të nëndetëseve, marrëveshje që Franca kishte nënshkruar me Australinë.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian e quajti paktim një "goditje pas shpine".

Ai e quajti atë një "vendim brutal, të njëanshëm dhe të paparashikueshëm" që i kujtoi ish-presidentin amerikan Donald Trump.

Diplomatët francezë në Uashington anuluan një mbrëmje gala për të festuar lidhjet midis SHBA dhe Francës, veprim ky, në shenjë hakmarrjeje.

Ky është një moment shumë kritik", tha ish -ambasadori i Francës në SHBA, Gérard Araud, për BBC. "SHBA e dinte se kjo kontratë strategjike bartte interesa thelbësore kombëtare franceze, dhe SHBA nuk deshi t’ia dijë."

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e quajti Francën "një partner jetik" dhe tha se Uashingtoni do të vazhdonte të punonte "tepër ngushtë" me Parisin.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, hoqi dorë nga përpjekja për të reaguar mbi kritikat franceze.

"Ka një sërë partneritetesh që përfshijnë francezët dhe disa partneritete që nuk e përfshijnë atë. Edhe ata kanë partneritete me vende të tjera që nuk na përfshijnë ne," tha ajo. "Kjo është pjesë e funksionimit të diplomacisë globale."

‘Ndryshim i thellë strategjik’

Pakti, i cili gjithashtu do të shohë aleatët të ndajnë aftësitë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e tjera nënujore, u përshkrua nga këshilltari i sigurisë kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar Stephen Lovegrove, si demonstrim për "ndryshime të thella strategjike".

Kjo do të thotë që Australia do të bëhet kombi i shtatë në botë që operon me nëndetëse me energji bërthamore.

Lovegrove tha se pakti ishte "ndoshta bashkëpunimi më i rëndësishëm i aftësive në botë në gjashtë dekadat e fundit".

Kina, ndërkohë, ka akuzuar aleatët se kanë një "mentalitet të Luftës së Ftohtë" që do të dëmtojë interesat e tyre.

Mediumi shtetëror kinez Global Times paralajmëroi për një garë armatimi për nëndetëset bërthamore, duke shtuar se ushtarët australianë ka të ngjarë të jenë "të parët që mund të vdesin" në një "kundërsulm" kinez.

Ndlrsa sot, Presidenti i Kinës Xi Jinping tha se fuqitë e huaja nuk duhet të lejohen të ndërhyjnë në punët e vendit.

"E ardhmja e zhvillimit dhe përparimit të vendit tonë duhet të qëndrojë fort në duart tona", tha ai.

Por ministri i Mbrojtjes i Australisë, Peter Dutton, e shpërfilli reagimin e Pekinit.

"Kjo nuk është hera e parë që ne kemi parë shpërthime të tilla nga Kina për sa i përket pozicionit të Australisë," tha ai.

"Jemi një demokraci krenare në rajonin tonë. Ne qëndrojmë me fqinjët tanë në Indo-Paqësor për të siguruar paqen e qëndrueshme, dhe ky bashkëpunim e bën rajonin më të sigurt. Ky është realiteti dhe asnjë dozë propagande nuk mund t’i hedhë poshtë faktet."

Ndërkohë, Kina aplikoi dje për t’u bashkuar me një pakt tregtar Azi-Paqësor, në një përpjekje që të forcojë pozicionin e saj në rajon.

Ministria e Jashtme e vendit, megjithatë, mohoi se nisma për t’u bashkuar me Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP) ishte një përgjigje ndaj paktit MB-SHBA-Australi.

Bashkimi me CPTPP, i cili u nënshkrua në 2018 nga 11 vende, përfshirë Australinë dhe Japoninë, pritet të shënojë një nxitje të konsiderueshme të fuqisë tregtare të Kinës. /noa.al