Transmetuar më 18-09-2021, 11:34

Sikur të ishte një “telenovelë”, historia e mosmarrëveshjeve midis Joan Laporta, presidentit të Barçës, dhe Ronald Koeman, trajnerit holandez, me Rob Jansen, agjentin e trajnerit si dëshmitar, njeh një kapitull të ri në dokumentarin “Força Koeman”, që transmetohet këto ditë në Holandë.

Në të, të gjitha dallimet mes presidentit dhe trajnerit janë shpjeguar. Përplasjet e këtyre muajve dalin në dritë. Dhe, megjithëse në fjalimin e tij të fundit, Koeman foli për një "marrëdhënie të përsosur" me presidentin, është shumë e qartë se Laporta nuk beson te heroi i “Wembley”, as është i kënaqur me këtë situatë.

“Presidenti është president dhe është këtu për të marrë vendime. Unë i kërkova të më thoshte se nuk jam aq i mirë, sa ta stërvis Barcelonën, në mënyrë që ta përfundonim aty historinë. Unë i thashë: Më largo nëse nuk më do. Bëje. Por, mos më lini me këtë pasiguri, duke më thënë se do të kërkoni opsione të tjera”, – shpjegon Koeman në dokumentar.

Në dokumentar, Rob Jansen, agjenti i holandezit, gjithashtu luan një rol interesant, i cili është jashtëzakonisht i ashpër me Laporta, të cilin e quan hipokrit: "Ishte një vendim i çmendur (të vazhdonte pa Koeman), bazuar në asgjë. Bazuar vetëm në ndjenjat e tij. Çmenduri.

Unë nuk fola përsëri me Laporta, por për fat të mirë njerëzit përreth tij kontribuan që Koeman të qëndronte. Pra, presidenti doli para mediave duke thënë se ata do të vazhdojnë së bashku, se janë miq. Kjo është hipokrizia e nivelit më të lartë sportiv”.

Rob Jansen i referohet Mateu Alemany dhe Ramon Planes, të cilët janë ata që e shtynë Laporta të shihte arsye që Koeman të vazhdonte. Ngjarjet e fundit i japin rëndësi këtij dokumenti dhe e kthejnë marrëdhënien në një situatë ekstreme.