Transmetuar më 18-09-2021, 07:50

Herrera i tha “El Larguero”, kur u pyet për bisedimet e largimit të Mbappe dhe shanset që ai të qëndrojë te PSG: "Unë kisha intuitën se do të qëndronte. Ajo që klubi na kishte thënë gjithmonë është se Mbappe po qëndronte. E pyeta dy javë para se të mbyllej merkatoja dhe më tha:

Unë jam këtu. Gjithçka që pashë në shtyp nuk përputhej me atë që ndodhi këtu. Ajo që do të ndodhë këtë sezon mund të ndikojë në qëndrimin ose jo të Mbappe. Synimi ynë është fitimi i Ligës së Kampionëve".

Mbappe tani është një nga tre sulmuesit ikonë në radhët e PSG, me francezin që rreshtohet së bashku me Neymar dhe gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë”, Lionel Messi. Herrera e konsideron si model dhe burim frymëzimi lojtarin më të shkëlqyer të të gjitha kohërave.

Ai tha për Messin: "Në futboll ka lloje të ndryshme drejtimi. Ka nga ata që flasin shumë, një kapiten që inkurajon dhe pastaj udhëheqës që japin shembullin e vet të parët. Ky është Leo. Që kur ka mbërritur në Paris, është i pari për stërvitje force në palestër, kur pushojmë bën shaka me të tjerët.

Ky është një shembull i lidershipit. Të shohësh që më i miri në botë nuk i bën bisht asgjëje i motivon më të rinjtë të thonë: Nëse ai është kështu, ne duhet ta ndjekim patjetër".

Krahas Messit, PSG gjithashtu mori një tjetër lojtar të nivelit më të lartë, ish-kapitenin e Real Madridit, Sergio Ramos. Ai duhet të heqë qafe problemet e dëmtimit, por Herrera është i kënaqur që ka një bashkatdhetar në skuadër:

"Sergio ka një dëshirë të çmendur për të luajtur. Ai është lider dhe fitues, ka luajtur 99 për qind të ndeshjeve në karrierën e deritanishme. Nuk dua ta ngarkoj shumë, por me të vërtetë duam ta shohim duke luajtur me ne. Jam i sigurt se kur të kthehet nuk do të ndalet më".