Transmetuar më 17-09-2021, 23:20

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku një i moshuar u denoncuar se ka tentuar të abuzojë seksualisht me një vajzë të mitur.

Nëna e të miturës me iniciale A.M., ka shkuar menjëherë për të bërë denoncimin në Komisariatin e Policisë Nr. 6 në Tiranë.

Nëna e të miturës ka thënë se nuk e njeh personin e moshuar, teksa mësohet se familja e vajzës jeton pranë vendit të njohur si “Vila L” në Astir.

“Vajza zbriti nga banesa me dy shoqet e saj. Një burrë i moshës rreth 60 vjeç e kapi nga krahu. E mori fillimisht me të mira duke e ftuar gocën ta shoqëronte. Më pas i tha “hajde me xhaxhin të të çoj diku”.

Vajza sapo është larguar prej tij, ma rrëfeu çfarë kishte ndodhur. Erdha në komisariat të bëj denoncimin. Nuk e njoh personin abuzues, nuk e kam parë kurrë edhe në lagje”, thotë në dëshminë e saj nëna e të miturës.

Edhe vajza e mitur është marrë në pyetje në praninë e nënës, xhaxhait dhe një psikologu, teksa ka treguar se çfarë ka ndodhur.

“Më tha mua më ço deri në katin e pestë. Deshi të më fuste në ashensor, nuk e njihja dhe më kapi paniku. Ai më mbante për dore dhe iu shkëputa duke vrapuar. Të njëjtën gjë bëri edhe me dy shoqet e mia, janë moshatare me mua, por edhe ato vrapuan pas meje të tmerruara”, tregoi vajza e mitur në polici.

Grupi hetimor do të sekuestrojë kamerat e sigurisë në pallatin ku jetojnë vajzat e mitura për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e burrit të moshuar.