Transmetuar më 17-09-2021, 23:57

Me një akt të paprecedentë që nuk kishte ndodhur që pas Luftës së Dytë Botërore, Franca njoftoi të premten në mbrëmje se ka vendosur të tërheqë ambasadorët e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.

Qeveria franceze tha se e ka marrë vendimin në shenjë proteste ndaj marrëveshjes që bënë SHBA dhe Britania e Madhe për ndërtimin e nëndetëseve bërthamore në Australi.

Ky vendim që zemëroi kaq shumë Francën, ka irrituar edhe Kinën e cila e konsideron si futje në luftë të këtyre shteteve dhe përpjekje për të marrë kontrollin e rajonit në Indo-Paqësor, raporton noa.al.

Ministri i Jashtëm francez pranoi se "vendimi është j jashtëzakonshëm", por shtoi se u ndikua nga një veprim i jashtëzakonshëm dhe precipitim i situatës.

Aleanca, e njohur si Aukus, do t’i japë Australisë teknologjinë për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.

Ky veprim zemëroi Francën pasi pakti solli anulimin e një marrëveshjeje shumë miliardë dollarëshe që kishte nënshkruar me Australinë.

Marrëveshja anglo-amerikane shihet gjerësisht si një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në Detin e kontestuar të Kinës Jugore. Ajo u njoftua të mërkurën nga Presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologu i tij australian Scott Morrison.

Franca u informua për aleancën Aukus, vetëm disa orë para se të bëhej njoftimi publik.

E gjitha kjo bëri që mbrëmjen vonë të së premtes 17 shtator, ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian, të dilte sërish në publik, një ditë pasi tha se marrëveshja ishte thikë pas shpine për Francën.

Ministri njoftoi zyrtarisht se ambasadorët po tërhiqeshin me kërkesë të Presidentit Emmanuel Macron.

Marrëveshja përbën sjellje të papranueshme midis aleatëve dhe partnerëve, pasojat e të cilëve ndikojnë drejtpërdrejt në vizionin që kemi për aleancat tona, për partneritetet tona dhe në rëndësinë e Indo-Paqësorit për Evropën," tha MPJ Le Drian.

Vendimi francez ka alarmuar presidencën amerikane. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se administrata e Biden është penduar për këtë veprim dhe do të angazhohet me Francën në ditët në vijim për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre.

Sakaq, MPJ e Australisë ndodhet në SHBA. Duke folur në Uashington, Ministrja e Jashtme Australiane Marise Payne tha se e kuptonte "zhgënjimin" e Francës dhe shpresonte të punonte me Parisin zyrtar për ta siguruar që të kuptojë "vlerën që i kushtojmë marrëdhënies dypalëshe".

Një tërheqje e ambasadorëve është shumë e pazakontë midis aleatëve dhe është hera e parë që Franca tërheq diplomatët më të lartë nga të dy vendet.

Më herët diplomatët francezë në Uashington tashmë kishin anuluar një mbrëmje gala për të festuar lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Francës, gala e cila ishte caktuar për të Premten e sotme.

Pakti do të thotë që Australia do të bëhet kombi i shtatë në botë që posedon nëndetëse me energji bërthamore.

Marrëveshja anglo-amerikane bëri të pavlefshme një marrëveshje me vlerë 37 miliardë dollarë që Franca kishte nënshkruar me Australinë në 2016 për të ndërtuar 12 nëndetëse konvencionale.

Kina ndërkohë akuzoi tre fuqitë e përfshira në pakt se janë zhytur në një "mentalitet të Luftës së Ftohtë". /noa.al