Transmetuar më 18-09-2021, 21:34

Vazhdon të mbetet e mbuluar me mister arsyeja përse Davide Pecorelli inskenoi gjithë këtë histori duke djegur makinën në Pukë, duke lënë aty ca eshtra dhe sende personale. Dhe pastaj jeta në ilegalitet për 9 muaj. Çfarë e shtyu atë? Por rastësia siç thuhet është ‘mbret i botës’. Megjithëse kish ndryshuar luk, ai është njohur nga një italian që ka njoftuar Prokurorinë.

Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me gjetjen e biznesmenit Davide Pecorelli. Mësohet se ka qenë dëshmia e një personi që i kishte ardhur rastësisht në ndihmë Pecorellit, që ka zbuluar se biznesmeni italian është gjallë.

Dëshmitari në fjalë është afruar për të ndihmuar Pecorellin pasi i është djegur motori i varkës, dhe ka njohur biznesmenin, pavarësisht ndryshimeve që ky i fundit kishte bërë në pamjen e tij të jashtme. Siç duket, fotoja e publikuar për muaj me radhë në të gjitha mediat, kishte shërbyer për diçka.

“Kam parë Pecorellin, është gjallë,”– mësohet të ketë thënë ai.

Edhe vetë kryeprokurori, Raffaele Cantone dhe Zëvendësprokurori Giuseppe Petrazzini kanë deklaruar se ata janë nisur për në ishull pasi kishin dëshminë e një personi i cili kishte deklaruar se e kishte parë Pecorellin të gjallë.

Misteri për zhdukjen në Shqipëri të biznesmenit italian Davide Pecorelli mori fund sot. Ai është gjetur i gjallë në ishullin Elba në Toskana të Italisë, tetë muaj pasi u raportua i zhdukur. Pecorelli ka dhënë deklarimet në polici dhe më pas është lënë i lirë, por nuk dihen ende arsyet se çfarë i ka ndodhur biznesmenit gjatë kësaj kohe.