Transmetuar më 19-09-2021, 16:32

I-Presidenti Bujar Nishani e konsideron skandal të radhës përdorimin e makinës super luksoze që ka marrë Kryeministri Edi Rama.

Në një postim në Facebook, Bujar Nishani thotë se kryeministri nuk mund të marrë dhe të përdorë makina nga Partia Socialiste, pasi ai është kryeministër edhe i shqiptarëve kundërshtarë me PS-në.

Nishani i kërkon PS-së, meqenëse mori përsipër të justifikojë makinën që përdor Rama, të bëjë publike kontratën e qerasë dhe burimin e të ardhurave që paguhen për këtë makinë të shtrenjtë.

Ish-Presidenti nuk ka kursyer në kritikat e tij as liderin e opozitës Lulzim Basha për heshtjen e tij ndaj këtij skandali.

Postimi i Bujar Nishanit: Një skandal tjetër i qeverisë së skandaleve ! Baza e skandalit hajnia dhe mashtrimi ! Një gazetare e pakapur, denoncoi Edi Ramën se përdorte prej muajsh një makinë ultra luksoze që sipas medias kushtonte 500 mijë euro (gjysëm milioni pra). Vetëm pas denoncimit të medias, qeveria tentoi të justifikohet se makinën e ka marrë Partia Socialiste me qira !!!! Ky është një skandal (i radhës kuptohet) që ngado ta kapësh të bën pis ! Por selia e Partisë Demokratike pse hesht ! Ka frikë ? Nuk e quan të rëndësishme ? Nuk ka dëgjuar e parë gjë ? Apo ? …….. Gjithsesi opozitarizmi, denoncimi i aferave qeveritare, përballja me të keqen nuk është më as monopol e as peng i Kryetarit Peng në selinë e PD. Kryeministri i vendit nuk mundet të marrë e as të përdorë makina nga Partia Socialiste ! Në zyrën e qeverisë e në aktivitetin qeveritar Edi Rama është Kryeministri edhe i shqiptarëve kundërshtarë politik të Partisë Socialiste. Në punët si kryetar i saj, ai mund të përdorë çdo gjë të PS. Zyra, makina, njerëz, të partisë. Jo në Qeveri e jo në qeverisje ! Meqenëse PS e mori përsipër ta mbulojë skandalin e Edi Ramës, duhej që tu tregonte shqiptarëve se sa kushton qeraja e paguar, të bënte publike kontratën e nënshkruar, të nxirrte transaksionin e thesarit të shtetit për pagesën e realizuar, të sqaronte burimin e parave që partia ka shfrytëzuar, etj.,,,etj.,,, Por natyrisht që këto nuk i bën dot, pasi thjesht mashtrojnë, gënjejnë, manipuloinë ! Imagjinoni një Kryeministër i zhytur në skandale, një parti në pushtet që fsheh skandalin me mashtrim dhe një opozitë zyrtare që hesht kokulur ! Çfarë duhet bërë ? Fill pas marrjes zyrtare të detyrës si kryeministër për herë të tretë, Edi Rama u dha porosi të qartë ministrave që të shmangin udhëtimet me bileta klasi avioni, apo hotele e dreka darka në biznese të shtrenjta. Në të njëjtën ditë, pra te shtunen, Rama u shfaq me një mjet luksoz kur shkoi për tu betuar në presidencë, për të cilin gazetarja Esiona Konomi ngre një sërë pyetjesh. Duke nisur nga blerja e tij, pronësia në emër të një gruaje, dhe deri te elementët e sigurisë për jetën e kryeministrit. Sipas sqarimit që qeveria i ka dhënë gazetares Esiona Konomi, automjeti i pablinduar, është marrë me qera nga Partia Socialiste prej një subjekti privat të regjistruar në emër të zonjës E. Hoxhallari.