Transmetuar më 20-09-2021, 08:20

“Mos e vrit mendjen për ata (që e kritikojnë), por shih përpara dhe bëj pritje. Forca Strakosha”! Ky baner, i shpalosur gjatë ndeshjes së djeshme të Lazio në Serie A, është nënshkruar nga ultrasit e klubit bardhekaltër.

Një mbështetje e fortë për portierin tonë të kombëtares, pas asaj gafe të mesjavës së kaluar në Ligën e Europës, kur në vend që ta priste, e shtyu topin me duart e veta drejt rrjetës, duke shkaktuar një autogol foshnjarak.

Thomas Strakosha

Në kulmin e kritikave të ashpra, që mori sidomos nga mediat italiane dhe tifozë të ndryshëm në rrjetet e tij sociale, vjen ky ngushëllim për Strakoshën. “Gardiani” shqiptar, me rastin e ndeshjes së parë të “Europa League” këtë edicion, kundër Galatasaray, pati shansin e madh për të startuar pas javëve të kaluara në stol, në hijen e Pepe Reina.

Një kthim shumë i keq si titullar, teksa për fat akoma më të keq, gabimi i kryer kundër turqve i kushtoi humbjen skuadrës bardhekaltër.

Në fakt, gjëja më e mirë që tifozët e skuadrës kryeqytetase mund të bënin pas asaj që i ndodhi ishte ta mbështesnin moralisht atë. Dhe kështu ndodhi, sepse tifozët e Lazios nuk i braktisin lojtarët e tyre në momente vështirësish.