Transmetuar më 20-09-2021, 11:20

Tri ndeshje në Serie A, tre gola për Lautaro Martinez. Të gjithë nga brenda zonës kundërshtare, duke qenë në vendin dhe kohën e duhur. Asnjë përgatitje; argjentinasi lëviz shpejt dhe godet. Është “kirurgjikal”, tejet i ftohtë.

Ashtu si sezonin e kaluar, argjentinasi po përjeton një fillim prej "sprinteri". Në vjeshtën e vitit 2020, Lautaro e filloi kampionatin duke goditur Fiorentinën, Beneventon dhe Lazion. Në atë kohë folëm për “LuLa”: Tani (Lukaku u largua), thjesht flasim për Lautaro Martinez.

PËRCAKTUES

Duke marrë parasysh edhe golin e shënuar në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar (5-1 në shtëpi kundër Udinese), për herë të parë “Toro” realizon në katër sfida radhazi të Serie A. Në fillim kundër Genoa, argjentinasi nuk ishte në formacion, por në Verona u kthye me gol. Kundër Sampdoria dhe Bologna, numri 10 zikaltër goditi sërish.

NË EKIPIN KOMBËTAR 

Duke marrë parasysh edhe Ligën e Kampionëve, edhe ekipin kombëtar, golat e tij në këtë fillim sezoni janë katër në gjashtë ndeshje: më 3 shtator, “Toro” goditi Venezuelën, pasi ishte protagonisti kryesor i fitores së Argjentinës në “Copa America” me tre gola, përfshirë një në çerekfinale kundër Ekuadorit dhe një në gjysmëfinale kundër Kolumbisë. Një bomber gjithnjë e më shumë i spikatur, kampion me zikaltrit dhe Argjentinën, me rinovimin një hap larg.

Sezonin e kaluar, seria e shënimit në fillim të kampionatit përfundoi në ndeshjen e katërt kundër Milanit. Të martën, për Interin vjen një sfidë tjetër e vështirë, në fushën e Fiorentinës. “Toro” është i uritur dhe i goditi vjollcët në javën e parë të sezonit 2020-2021. Lautaro po luan për një gol tjetër; me qëllim që të tejkalojë veten dhe t’i japë Interit edhe më shumë.