Transmetuar më 21-09-2021, 08:34

"Cristiano Ronaldo është një super futbollist dhe një njeri i madh. Ai është ëndrra e çdo trajneri”. Trajneri i njohur anglez, Harry Redknapp, vlerëson sjelljen e kampionit portugez në ndeshjen kundër Young Boys, në Ligën e Kampionëve. Ronaldo, i zëvendësuar gjatë lojës nga Solskjaer, brohoriste shokët e tij të skuadrës nga stoli, deri në fund të ndeshjes.

"Futbolli, edhe pse një sport ekipor, është në përgjithësi një industri egoiste. Pra, nuk është e pazakontë të shohësh lojtarë të ulur në stol, të cilët shajnë trajnerin e tyre, ose shtrembërojnë turinjtë. Në përvojën time kjo ka ndodhur shumicën e kohës.

Sidoqoftë, me Ronaldon është ndryshe, – shpjegoi Redknapp në një opinion për “The Sun”. – Nëse dikush kishte të drejtë të sulmonte, po qe se zëvendësohej, ishte ai. Ama, Cristiano nuk e bëri".

Qëndrimi i CR7 e goditi Redknapp: "Ai donte të mirën e ekipit, kjo është arsyeja pse qëndronte pas trajnerit Solskjaer, gati për të brohoritur shokët e tij të skuadrës. Kjo është ajo që e dallon Ronaldon nga shumica e të tjerëve.

Superylli, një sportist suprem dhe me vullnet të hekurt, duket në gjendje të shpallet golashënuesi më i mirë në Premier League në moshën 36-vjeçare. Që një trajner të ketë lojtarë që mendojnë në këtë mënyrë dhe që mund të jenë shembull për më të rinjtë, është një siguri e madhe”.

Ish-trajneri i Tottenham është i bindur se Ronaldo mund të ndihmojë që talentet e Manchester United të rriten: "Lojtarët më të rinj si Mason Greenwood dhe Aaron Wan-Bissaka do të mësojnë nga shembulli i tij, sepse Ronaldo ka dominuar futbollin botëror së bashku me Lionel Messin në dhjetë vitet e fundit.

Ata do të shohin sesi stërvitet Ronaldo, si ha dhe kujdeset për veten. Dhe qëndrimi që ai tregon ndaj fitores. Ronaldo është ëndërr e çdo trajneri, jo një makth”. Redknapp spekulon për një të ardhme si trajner për Ronaldon:

"Ai me siguri nuk është duke kërkuar punë, që të rrezikojë stolin e Solskjaer. Megjithatë, ta shohësh atë të sillet ashtu siç bëri nga stoli kundër Young Boys, të bën të mendosh se mund të bëhet një trajner i mirë nëse dëshiron".