Transmetuar më 20-09-2021, 14:49

Një natë makthi, që vështirë se do të harrohet. Thomas Strakosha e dënoi Lazion me humbje në ndeshjen e parë të Ligës së Europës për këtë sezon, në fazën e grupeve. Portieri shqiptar, i aktivizuar në vend të Reina në këtë ndeshje, për ta lënë portierin spanjoll të marrë paksa frymë, ishte protagonisti i një gafe të bujshme që bëri xhiron e botës.

Goditja e gabuar nga Lazzari pa që topi të përfundonte vertikalisht te portieri bardhekaltër, i cili nuk ishte në gjendje ta zotëronte, por në këtë përpjekje e shtyu “sferën” në portën e tij. E qeshura e Fatih Terim (jo shumë sportive) dhe e stafit të tij pas atij gabimi nga Strakosha, ishte ilustrim i një debutimi katastrofik sezonal për portierin bardhekaltër, i ngushëlluar vetëm nga përqafimi i Milinkovic-Savic.

Në fund të lojës, në profilin e Strakoshës në Instagram, te fotografia e fundit e postuar nga shqiptari më 8 gusht, u sulën komentues të ndryshëm. Fotoja nuk kishte të bënte me autogolin foshnjarak, por festonte përvjetorin e portierit të Lazios me partneren e tij. Fyerjet nga tifozët e Lazios, por edhe “falënderimet” sarkastike nga tifozët turq të Galatasaray vazhduan gjatë.

"Zoti ju bekoftë", shkruajnë disa mbështetës të Galatasaray, duke komentuar me ironi gabimin e portierit që lejoi skuadrën turke të kapërcejë Lazion 1-0. "Faleminderit vëlla", lexohet në komente të tjera, që përzihen me ato të tifozëve të Lazios, të zhgënjyer dhe të zemëruar për atë gafë të bujshme: "Ju mendoni për gjithçka, përveç pritjes së topave".

Strakosha kishte luajtur vetëm 3 nga 4 ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar, para se t’ia dorëzonte sërish “stafetën” në portë Reinës, një besnik i Sarrit në këtë vit të parë në stolin e Lazios. "Herën tjetër kur të ankoheni pse nuk luani, mos harroni se jeni një portier skandal”, komentohet përsëri në llogarinë zyrtare të shqiptarit.

Një rrjedhë e vazhdueshme e komenteve të tilla vazhdoi gjatë. Shumë zhgënjim nga ana e tifozëve të Lazios për atë autogol të pafalshëm në fund të ndeshjes. Ekipi i Sarrit, që nga ai moment, nuk ishte në gjendje të reagonte.