Transmetuar më 20-09-2021, 01:12

Zona e Piemontes në Itali është shumë e populluar me shqiptarë. Në këtë rajon, sidomos Torino e Cuneo janë plot me bashkëkombës.

E mes tyre, pikërisht në Varaita – Venasca të Kuneos, spikaste një pikë karburanti ku shumë shqiptarë kalojnë për t’u furnizuar.

Aty do t’i priste gjithnjë buzagaz, Viola emigrantja shqiptare e cila erdhi në Itali për një jetë më të mirë, por po kthehet e pajetë në vendlindje.

Viola Gjecaj prej disa kohësh iu desh të përballej me një sëmundje të vështirë por kjo e dielë nuk e gjeti më të gjallë.

Viola humbi jetën dhe familja njoftoi se ceremonia mortore e saj do të bëhet të martën më 21 shtator ora 14.30 kurse më pas trupi do të dërgohet në Shqipëri për t’u përcjellë në banesën e fundit.

E ndjera la pas nënën Maria, të shoqin Aldo, motrat Vera, Flora, Giuliana dhe Mariana, etj. /noa.al