Transmetuar më 20-09-2021, 11:07

Në Tiranë u zhvillua ceremonia e promovimit të romanit "Të jetosh", i autorit kinez Yu Hua, që vjen në shqip i përkthyer nga sinologu Iljaz Spahiu.

Veprimtaria u organizua nga shtëpia botuese e këtij libri dhe Shoqata Kulturore Shqipëri-Kinë.

Në event ishin të pranishëm zv.ambasadori i Ambasadës së Kinës në Shqipëri, Bai Yunbing, drejtorja e palës kineze e Institutit “Konfuci” në Tiranë, Zhang Xiaoying, përfaqësues të shtëpive botuese si dhe miq të librit.

Sinologu Spahiu bëri një prezantim të shkurtër të autorit dhe përmbajtjes së romanit, ku përshkruhet vendosmëria e njeriut për ta jetuar jetën deri në fund, pavarësisht tragjedive dhe vuajtjeve të pafundme e ekstreme me të cilat e përball jeta.

Zëvendësambasadori kinez Bai Yunbing vleresoi bashkëpunimin në fushën e përkthimit dhe botimit, si një aspekt i rëndësishëm për thellimin e njohjes së ndërsjellë mes dy popujve.

Në takim u transmetua edhe videomesazhi i shkrimtarit Yu Hua me rastin e botimit në shqip të romanit të tij, gjë që sipas tij ka një domethënie të rëndësishme, pasi ai është rritur në vitet e lulëzimit të miqësisë kinezo-shqiptare.

Romani është pjesë e programit të bashkëpunimit mes dy vendeve për përkthimin dhe botimin e ndërsjellë të 25 tituj librash.

Ai vjen në vazhdën e disa veprave letrare të autorëve kinezë të përkthyera nga Iljaz Spahiu.