Transmetuar më 20-09-2021, 19:47

Lajme të mira nga mjekësia. Gjiganti farmaceutik britanik, AstraZeneca njoftoi të dielën rezultate të mëdha nga testimi i një ilaçi të ri për kancerin e gjirit, për të cilin ata thonë se është vërtetuar se zvogëlon rrezikun e vdekjes, ose përparimit të sëmundjes me 72 përqind, në krahasim me trajtimet ekzistuese.

Kompania e barnave tha se rezultatet e testimit të medikamentit Enhertu në trajtimin e kancerit të gjirit aktualisht të pashërueshëm, HER-2, treguan "një prirje të fortë përmirësuese dhe shmangieje të rasteve fatale".

AstraZeneca tha se Enhertu, kur shoqërohej me kimioterapi u tregua se ishte dy herë më efektiv në kontrollin e sëmundjes sesa ilaçi tjetër intravenoz i antitrupave, TDM1, ilaçi aktual standard.

Ndër 500 pacientë që u përfshinë në këto testime të AstraZeneca nga e gjithë bota, të cilët përdorën Enhertu, 75 për qind e tyre nuk treguan progres në tumor pas 12 muajsh, krahasuar me 34.1% të atyre që u trajtuan me TDM1. Për më tepër, koha pa progres e sëmundjes u përmirësua nga 7.2 muaj në 25.1 muaj.

Në total, 94.1% e pacientëve të mjekuar me Enhertu mbijetuan pas 12 muajsh trajtim, krahasuar me 85.9% të pacientëve që u trajtuan me TDM1.

Susan Galbraith, nënkryetare ekzekutive e Kërkimit dhe Zhvillimit të Onkologjisë në AstraZeneca, i quajti rezultatet “risi madhore”.

"Këto të dhëna përfaqësojnë një ndryshim të mundshëm në trajtimin e tumorit metastatik pozitiv HER-2 dhe ilustrojnë potencialin që Enhertu të shpëtojë më shumë jetë pacientësh që janë trajtuar me mjekime të mëparshme", tha ajo.

LINKU I PUBLIKIMIT TË PLOTË NGA ASTRAZENECA