Transmetuar më 21-09-2021, 01:05

Në muajin nëntor, Shtetet e Bashkuara do të lehtësojnë kufizimet për hyrje të udhëtarëve nga Bashkimi Evropian. Heqja e kufizimeve përfshin edhe Britaninë, Irlandën, Kinën, Indinë, Afrikën e Jugut, Iranin dhe Brazilin. Në heqjen e kufizimeve nuk përmendet Shqipëria, por deri tani shtetasit shqiptarë me vizë amerikane kanë lëvizur me tampon drejt Shba-ve.

Kufizimet e pashembullta të SHBA kanë ndaluar qytetarët jo-amerikanë që ishin në ato vende brenda 14 ditëve të fundit.

Zyrtarët nuk dhanë datë të saktë por njoftuan të hënën se duke nisur nga muaji nëntor, udhëtarët e huaj do të lejohen të fluturojnë në SHBA nëse vaksinohen plotësisht, i nënshtrohen testimit dhe procesit të gjurmimit të kontakteve.

Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë e COVID-19, Jeff Zients, tha se kjo qasje bazohet më shumë në individë sesa në situatën e përgjithshme të një vendi.

"Më e rëndësishmja është që shtetasve të huaj që fluturojnë në SHBA do t’u kërkohet të jenë të vaksinuar plotësisht", tha ai.

Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj do të duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit, të kenë një rezultat negativ të testit për COVID-19 dhe të paraqesin informacionet për kontaktet e tyre.

Pasagjerëve të vaksinuar plotësisht nuk do t’u kërkohet të hyjnë në karantinë, tha Zients.

Vendimi pason një kërkesë të vazhdueshme nga zyrtarët evropianë për t’iu mundësuar familjeve të ndara nga kufizimet që të kenë mundësi të ribashkohen.