Transmetuar më 21-09-2021, 08:02

Kryeministri kanadez Justin Trudeau rikonfirmoi qëndrimin në pushtet pasi rivali i tij kryesor pranoi humbjen. Trudeau tha se kishte fituar një mandat të qartë për të qeverisur edhe pse nuk arriti qëllimin e tij për një fitore të shumicës, qëllim për të cilin çoi vendin në zgjedhje të parakohshme pa ia kërkuar as opozita 

Kanadezët i dhanë fitoren Partisë Liberale të Kryeministrit Justin Trudeau në zgjedhjet parlamentare të së hënës, por shansi i tij për të fituar shumicën e vendeve dështoi dhe pasqyroi rezultatin e dy viteve më parë.

49-vjeçari Trudeau po drejton partinë e babait të tij, ikonës Liberale dhe kryeministrit të ndjerë Pierre Trudeau, që kur fitoi për herë të parë zgjedhjet në 2015 dhe e ka udhëhequr partinë e tij në dy palë zgjedhje të tjera që nga ajo kohë.

Liberalët e Trudeau morën 156 vende – një më pak se sa fituan në vitin 2019, dhe 14 më pak se 170 të nevojshëm për shumicën në Dhomën e deputetëve.

Konservatorët fituan 121 vende, të njëjtin numër që kishin në vitin 2019. Demokratët e rinj majtistë arritën në 27, një rritje prej tre vendesh, ndërsa Blloku Québécois me qendër në Quebec mbeti i pandryshuar me 32 vende dhe të Gjelbrit me dy.

"Ju po na dërgoni përsëri për të punuar me një mandat të qartë për të qeverisur Kanadanë përmes kësaj pandemie," tha Trudeau.

Trudeau hyri në zgjedhje duke udhëhequr një qeveri të qëndrueshme të pakicës që nuk ishte nën kërcënimin e rrëzimit.

Opozita ishte e pamëshirshme duke akuzuar Trudeau për thirrjen e një votimi të panevojshëm të hershëm – dy vjet para afatit, duke e akuzuar se e bëri këtë – për ambicien e tij personale.

"Trudeau humbi shansin e synuar për të marrë shumicën, kështu që unë do të thoja se kjo është një fitore e hidhur për të," tha Daniel Béland, një profesor i shkencave politike në Universitetin McGill në Montreal.

"Në thelb ne jemi kthyer në gjendjen e mëparshme, pasi parlamenti i ri do të duket si ai i mëparshmi. Trudeau dhe Liberalët shpëtuan lëkurën e tyre dhe do të qëndrojnë në pushtet, por shumë kanadezë që nuk donin në këtë verë të vonë, zgjedhjet pandemike, ndoshta nuk janë të kënaqur me situatën" tha ai.

Trudeau vuri bast se kanadezët nuk donin një qeveri konservatore gjatë një pandemie.

Kanadaja tani është ndër vendet më të vaksinuara plotësisht në botë dhe qeveria e Trudeau shpenzoi qindra miliarda dollarë për të mbështetur ekonominë mes lockdown të gjatë që aplikoi.

Trudeau argumentoi se qasja e Konservatorëve, e cila ka qenë skeptike ndaj bllokimeve dhe vaksinave, do të ishte e rrezikshme dhe luajti me kartën elektorale se kanadezët kanë nevojë për një qeveri që ndjek shkencën.

FOTOGALERI AP