Transmetuar më 21-09-2021, 09:30

Një punonjës policie u plagos në Librazhd gjatë punës teksa po ndiqte një të dyshuar. Polici u dërgua në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Noa.al mëson se i dyshuar për aksidentin është Bledi Larti, banues në Tiranë, 31 vjeç.

Ai është arrestuar nën akuzon se nuk iu bind urdhrit policor për të ndaluar dhe në tentativë e sipër për t’u larguar aksidentoi punonjësin e Policisë.

Gjithçka nisi mbrëmë rreth orës 21:45, kur salla Operative e Policisë Librazhd është njoftuar nga Salla e Komisariatit të Policisë Pogradec, se mjeti tip "Audi", me drejtues shtetasin Bledi Larti, nuk i ishte bindur urdhrit të shërbimeve të Policisë Pogradec për të ndaluar, por kishte vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të Librazhdit.

Me marrjen e njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pikë kontrolli në aksin rrugor Prrenjas-Pogradec.

Drejtuesi i mjetit tip "Audi", kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, përsëri nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.

Larti ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Patrullës së Përgjithshme, shtetasin S. H., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në ndjekje të automjetit janë vënë shërbimet e tjera të Policisë dhe në qytetin e Librazhdit është bërë i mundur ndalimi i tij.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan u arrestua në flagrancë për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese " e mbetur në tentativë dhe "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", shtetasi Bledi Larti, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /noa.al