Transmetuar më 21-09-2021, 12:26

Vazhdojnë të zbulohen detaje të reja rreth ‘ringjalljes’ s♪7 biznesmenit italian Davide Pecorelli. Prokuroria e Pukës po kryen hetime lidhur me inskenimin e vdekjes së tij.

Mësohet se nga verifikimet e kryera deri më tani, hetuesit dyshojnë se biznesmeni italian është ndihmuar nga një prift në vendin tonë. Ky person mendohet ta ketë dërguar Pecorellin nga Shqipëria deri në një manastir në Medugorje, në Bosnjë. Ndërmjetësimi mes Pecorellit dhe priftit shqiptar dyshohet të jetë bërë nga priftërinj të huaj.

Që prej fillimit të ngjarjes prokuroria ka marrë në pyetje 13 persona, mes te cilëve edhe të dyshuar që kanë ndihmuar të kalojë kufirin.

Ndërkohë Davide Pecorelli, ka treguar për autoritetet italiane se është i zhytur në borxhe. Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Raffaele Cantone, ish-gjyqtari italian i futbollit është shprehur: “Vendosa që të zhdukesha sepse jam i zhytur në probleme ekonomike. Jam praktikisht i rrënuar.”

Për gati nëntë muaj ai qëndroi i fshehur ndërsa familjarët i kishin humbur shpresat se mund ta shihnin të gjallë. Zyra e prokurorit ka bërë të ditur se në historinë e tij ka detaje tragjike.