Transmetuar më 21-09-2021, 13:13

Përplasja mes Berishës dhe Bashës tani ka zbritur në bazë.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nisur takimin me krerët e degëve lokale të PD-së në Kukës dhe Shkodër, në selinë blu.

Basha ka zgjedhur që ti mbledhë veç e veç drejtuesit lokalë të PD-së, pas një mbledhje të madhe që bëri me ta dy ditë pas vendimit për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar.

Takimet e Bashës me drejtuesit lokal, vijnë menjëherë pasi Berisha ka nisur turin e takimeve në të gjithë vendin me bazën demokrate, ku ka shpallur dhe lëvizjen e tij për një PD më të fortë, më demokratike dhe më të bashkuar.

Basha synon që të mbajë sa më të bashkuar bazën, pasi u pa se në takimin në Tiranë, Berisha arriti të mblidhte rreth vetes një numër të konsiderueshëm mbështetësish.

Edhe në mbledhjen e djeshme të kryesisë së grupit parlamentar në PD, nuk munguan debatet e forta për çështjen Berisha, të cilën Flamur Noka e konsideroi një thikë pas shpine që Lulzim Basha u ka bërë të gjithë demokratëve.

Vetë Basha është treguar tepër i prerë kur ka thënë se nuk do të kenë asnjë Kuvend kombëtar, që të diskutojë mbi vendimin e tij, i cili është i pakthyeshëm.

Pas turit në Tiranë, Berisha do të ndalet pasditen e sotme në takim me demokratët në qarkun e Fierit.