Transmetuar më 21-09-2021, 19:30

Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur turin e takimeve me demokratët në rrethe. Këtë të martë ai u ndal në Fier, ku u prit nga qindra simpatizantë të PD-së.

Berisha akuzoi para demokratëve kryeministrin Edi Rama, duke thënë se iu ka vjedhur të ardhmen shqiptarëve.

Sipas tij Rama do mbetet në histori si kryeministri më i lig dhe më tradhtar pas Enver Hoxhës.

“Sot kemi një motiv, që buron nga zemrat tuaja ‘Rama ik’, sepse pas Enver Hoxhës do mbetesh në histori si kryeministri më i lig, më tradhtar në kombin shqiptar. Nis mandatin e tretë me veturë 500 mijë dollarë. Shëtit me avion në dispozicion. Vret çdo ditë ëndrrat e shqiptarëve. Kemi 8 vite që nuk ecim drejt Europës, por shohim drejt Azisë. Interesi ynë kombëtar është në dorë të Serbisë. Shqipëria ka rrogat më të ulëta në BE.”

Berisha ka kërkuar nga militantët në Fier që të mos pranojnë ndarje “të Bashës, apo të Berishës”. Ai gjithashtu përsëriti akuzën drejtuar Bashës, se “ishte i marrë peng”, kur mori vendimin pa konsultë për përjashtimin e tij.

“Ata që janë në këtë sallë dhe ata që s’janë por kanë mbështetur Lulzim Bashën, atyre që s’e duan Sali Berishën, u them vetëm një fjalë, më shumë se të gjithë ju, Bashën e ka mbështetur Sali Berisha. Ju keni mbështetur kryetarin e PD. Unë kam mbështetur kryetarin e PD.

Asnjë nga ne nuk i shkonte ndërmend se kryetari ynë, i marrë peng, do të mundte që pa pyetur asnjë njeri, asnjë forum, asnjë parim, asnjë nen statuti, del me një vendim për të dorëzuar sovranitetin e PD. Secili prej jush ka të drejtë të shtrojë pyetje: E ka për vete këtë nismë doktori apo për partinë? Ju jap fjalën se e kam për Partinë, për Kryesinë e Partisë Demokratike. Më mirë qiri i fikur sesa qiri i fëlliqur, thotë një fjalë e urtë.”