Transmetuar më 22-09-2021, 09:19

Numrat e Cristiano Ronaldos në kthimin e tij te Manchester United janë të frikshëm. Në tri ndeshje (Newcastle dhe West Ham në Premier League, si dhe Young Boys në Ligën e Kampionëve) ai ka shënuar 4 gola. Pra, mesatarisht më shumë se një gol për ndeshje.

"Solskjaer mund të mbështetet tek unë", – tha sulmuesi portugez kur nënshkrimi i tij u zyrtarizua. Dhe tani për tani po jep maksimumin. "Për shkak të profesionalizmit të tij, cilësisë, jetëgjatësisë… Cristiano shënoi përsëri dhe do të shënojë më shumë gola për ne”, – rrëfeu trajneri norvegjez, që iu dorëzua ish-shokut të skuadrës kur barazoi Iker Casillas si futbollisti me më shumë ndeshje në Ligën e Kampionëve (177).

Manchester United kryeson Premier-in së bashku me Chelsea dhe Liverpool-in falë duarve të De Geas dhe golave ​​të CR7. Të dy kanë kontribuar shumë në rritjen e “djajve të kuq”, me 29 ndeshje pa humbur në Premier League (rekord).

Fitoret janë bërë të zakonshme, të shoqëruara me golat e Ronaldos. "Cristiano ndjen momentet e mëdha dhe është i pamëshirshëm. Ai është vdekjeprurës, e nuhat erën e golit, është bërë një lojtar dhe shënues i shkëlqyeshëm për ekipin", – shton Solskjaer.

Kundër West Ham, përveçse shënoi në stadiumin e tij të 66-të në ligat kryesore europiane, la edhe një “shenjë” tjetër mbresëlënëse. Në moshën 36-vjeçare, Cristiano arriti shpejtësinë 32.51 kilometra/orë në sprintin e tij në Londër.

Ai ishte futbollisti më i shpejtë i ndeshjes përpara shokut të tij të skuadrës, Wan-Bissaka (32.41 km/orë) dhe Bowen (31.29 km/orë), sipas të dhënave të Manchester United.