Transmetuar më 22-09-2021, 14:41

Nga tampon me detyrim te testet e shpejta në subjektet private, çfarë njoftoi sot Komiteti Teknik i Ekspertëve

Duke nisur nga data 1 tetor 2021, të gjithë arsimtarët dhe personelit tjetër arsimor që nuk janë vaksinuar, janë të detyruar që çdo javë të depozitojnë pranë sekretarisë shkollore, testin PCR ose rapid, përkatësisht ai molekular dhe ai antigjen, që të mund të vazhdojnë punën.

Të njëjtin detyrim duhet ta zbatojnë nga 11 tetori edhe të gjithë studentët, pedagogët dhe personel tjetër universitar.

Këto masa detyruese vlejnë vetëm për subjektet shtetërore.

Një vendim i ri që u shpall sot ishte kryerja e testeve të shpejta (rapid test) duke nisur nga sot edhe tek të gjitha subjektet private.

Deri dje zyrtarisht nuk lejohej që rapid test të bëhej te privatët, megjithatë subjektet si Alnet që ka komunikuar noa.al, pohuan se e kryejnë atë kundrejt tarifës 20 euro me përgjigje brenda një ore, në ndryshim nga tamponi molekular PCR që kushton 45 euro.

Sakaq, nisur nga situata epidemiologjike në vend, Komiteti Teknik i Eksperteve ka vendosur të lërë në fuqi masat aktuale, si shtetrrethimi nga ora 23.00 deri 06.00 edhe pse thuajse askush nuk e zbaton më prej muajsh, orën policore.

Masat në fuqi për kontrollin e situatës së epidemisë në vend mbeten si vijon:

Kufizimi i qarkullimit dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 23:00-06:00.

Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë njërin nga këto tre kushte: – Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë. – Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve. – Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.

Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre.

Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 miië lekë.

Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.