Transmetuar më 22-09-2021, 18:50

I kanë trokitur në derë dhe ai ia ka hapur. Nuk ishin mysafirë, por policë.

Autoritetet italiane kanë arrestuar ditën e sotme një 29-vjeçar shqiptar pasi është kapur me lëndë narkotike në banesë.

Mediat italiane kanë njoftuar se shqiptari ia ka hapur vetë derën policisë e cila pasi ka hyrë në shtëpinë e tij ka vënë re një shkop hashashi dhe disa mbështjellës të kokainës në një tavolinë në dhomën e ndenjes dhe në kuzhinë, si dhe llastiqe e materiale të tjera për paketimin e kokainës.

Ndërkohë më shumë kokainë dhe substanca ndarëse u gjetën në komodinën e dhomës së gjumit. Agjentët më pas zbuluan se 22 shufra hashashi dhe një kokaine ishin fshehur brenda një zgavre në murin e dhomës së gjumit, të mbuluar nga një pllakë murale.

Policia sekuestroi 636 gram kokainë dhe 6.35 kg hashash kurse njëzet e nëntë vjeçari, i papunë dhe ilegal në Itali, u arrestua me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.