Transmetuar më 22-09-2021, 22:22

Ekspertët kryesorë, përfshirë ata në British Medical Journal dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave, sot raportojnë se eksperimentet me kafshë po dështojnë plotësisht kërkimin e trajtimeve dhe kurave njerëzore.

LONDËR – Pamje tronditëse vijnë nga Britania e Madhe ku qindra qen janë vrarë në laboratorë që po i përdorin kafshët si kavie për eksperimente shkencore.

Aktivistët britanikë kanë arritur të depërtojnë në mjediset e laboratorit dhe kanë kapur momentet teksa qentë e ngordhur nxirren me kuti dhe flaken pasi u janë nënshtruar eksperimenteve me lëndë kimike.

Imazhet që gjeni në fotogaleri tregojnë punëtorët e veshur me veshje të plota mbrojtëse kimike teksa fusin kafshët një furgon në Labcorp në Harrogate, North Yorkshire, raporton noa.al duke cituar Mirror.

Ndërsa hapet dera e laboratorit dhe punëtorët hedhin qentë e ngordhur, nga brenda dëgjohen qen të tjerë duke qarë.

Aktori Peter Egan, i cili është pjesë e një fushate për të ndaluar testimin e qenve tha se ata "vuajnë pa qetësim dhimbjeje ose anestezi".

"Brenda laboratorit, qentë durojnë eksperimente që mund të përfshijnë ushqimin me forcë të kimikateve deri në 90 ditë", tregon ai.

Pamjet e reja vijnë disa javë pas protestave jashtë MBR Acres, në Cambridgeshire që besohet të jetë pika më e madhe në Britani për testimin e kafshëve.

Çdo vit mijëra qen futen në këto laboratorë për eksperimente të "toksicitetit të dhimbshëm". Zakonisht ata mbahen për periudhën 16-javore. Shumë qen vriten në fund të eksperimenteve.

Shifrat më të fundit tregojnë se qentë janë përdorur në 4,227 eksperimente në vitin 2019.

Aktori Ricky Gervais, 60 vjeç, është ndër ata që kanë bërë thirrje që ferma, në pronësi të kompanisë amerikane Marshall BioResources, të mbyllet. Ata po bëjnë gjithashtu thirrje që të gjitha kafshët laboratorike të përfshihen nën mbrojtjen e Aktit të Mirëqenies së Kafshëve dhe klauzolës së "vuajtjeve të panevojshme".

Protestuesit thonë se shumë prej qenve janë të destinuar për një "jetë mizore, të dhimbshme dhe të shkurtër" dhe se eksperimentet nuk ndihmojnë në kërkimin e trajtimeve dhe kurave njerëzore.

Kurse kompania këmbëngul se është "e përkushtuar për ruajtjen e standardeve të larta të mirëqenies së kafshëve" dhe se puna e saj "është kritike për përparimin mjekësor njerëzor dhe veterinar".

Ekspertët kryesorë, përfshirë ata në British Medical Journal dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave, sot raportojnë se eksperimentet me kafshë po dështojnë plotësisht kërkimin e trajtimeve dhe kurave njerëzore.

Projekti i Gjenomit Njerëzor i vitit 2003, me njohuritë e tij aktuale mbi biologjinë evolucionare dhe shkencën e kompleksitetit ka deklaruar se testet e kafshëve kanë një normë dështimi 90%. /noa.al