Transmetuar më 23-09-2021, 14:18

Të premten e kaluar, që përkon me 25-vjetorin e ditës kur ai u shfaq në “La Masia” për herë të parë, për të bërë historinë e Barcelonës, Andres Iniesta dha një intervistë për “Goal”. Në këtë rrëfim, legjenda e klubit blaugrana dhe e Spanjës imagjinon të ardhmen e tij dhe flet për situatën e ekipit të tij të zemrës.

"Ndihem paksa i habitur, sepse kanë kaluar kaq shumë vite, por ishte padyshim një hap i rëndësishëm në jetën time: jo vetëm në nivel sportive, por edhe atë personal. Unë e mbaj mend gjithmonë si diçka të pabesueshme. Në të gjitha ato vite, për ta thjeshtuar pak, kam përjetuar kohë të mira, por edhe shumë të vështira në fillim, pasi u ndava nga familja ime. Megjithatë, vajtja dhe aktivizimi te Barcelona është gjëja më e mirë që më ka ndodhur në jetë".

Çfarë këshille do t’u jepnit djemve dhe vajzave të sotëm?

Është e vështirë të japësh këshilla, sepse secili ka historinë e vet, mjedisin e tij dhe mënyrën e të bërit të gjërave. As ajo që kam përjetuar 25 vjet më parë nuk mund të krahasohet me përvojat e djemve dhe vajzave të sotme. Unë iu përkushtua asaj sfide 100%, duke e ditur se ishte një ëndërr, diçka që doja të realizoja për vete dhe familjen. Kisha një besim të verbër në shansin tim te Barcelona".

Kur të tërhiqeni nga futbolli i luajtur, do të jetë më mirë të punoni me të rinjtë apo me të rriturit?

Ka ditë kur mendon se dëshiron të jesh trajner, të tjera kur nuk dëshiron…, nuk e di. Kur je ende aktiv është e vështirë të shikosh shumë përpara. Është e vërtetë se do të më duhet ta mendoj të ardhmen dhe të vlerësoj mundësitë e ndryshme që kam. Ajo që do të doja, megjithatë, është të marr licencën e trajningut, edhe pse bërja e planeve afatgjata është e ndërlikuar. Ju nuk e dini se çfarë aftësish do të keni për të bërë një gjë apo një tjetër, nuk e dini se ku do të punoni dhe me cilët njerëz do të duhet të merresh. Unë do të doja të qëndroja i lidhur me futbollin, sepse është jeta ime.

Në Barcelonë tani është Laporta, a mund ta shihni veten atje? Nuk e di nëse kontrata e jetës është ende në fuqi…

Nuk është skenari në të cilin e shoh veten, por nëse do të më krijohet mundësia do ta vlerësoja. Ajo që mund t’ju them është se do të doja të kthehesha te Barça, natyrisht. Jo për kohën time atje, por sepse mendoj se kam aftësitë për ta ndihmuar ekipin në një mënyrë tjetër".

Andrés Iniesta gets 'wet' with Koeman, Xavi and Leo Messi

A ju ka tunduar për këtë Laporta?

Laporta më jep shumë besim dhe në këtë kuptim i uroj atij më të mirat. Por, të flasësh tani për situata hipotetike që mund të ndodhin në një apo dy vite nuk ka kuptim. Ajo që dua është që Barça të gjejë atë trend pozitiv në të gjitha drejtimet; futbollistik dhe institucional. Sot, kjo është ajo që do të më bënte më të lumtur.

Nga Japonia, a keni ndjekur gjithçka që ka ndodhur vitet e fundit?

Pavarësisht distancës, padyshim që përpiqem t’i ndjek ngjarjet te Barcelona kur mundem. Është e vështirë t’i shikoj ndeshjet drejtpërdrejt për shkak të orareve. Kjo është arsyeja pse shikoj përmbledhjet, pastaj jam ende në kontakt me disa ish-shokë të skuadrës, me të cilët flas shumë".

Me kë?

Me Jordi (Alba) dhe ‘Busi’ (Busquets), me ata flas më shumë. Ne flasim për gjithçka, jo vetëm për futbollin.

Koeman është gjithmonë në qendër të kritikave, siç ndodh shpesh me trajnerët. A meriton ai më shumë besim?

Trajneri i Barçës e di se duhet të jetë gjithmonë i përgatitur për të gjitha situatat. Detyra nuk ishte e lehtë as në kohën e mbërritjes së tij, as tani. Të gjithëve iu duhet kohë. Shpresojmë që ai të jetë me fat dhe ekipi të gjejë përsëri ndjenjat pozitive. Me siguri kjo do të ndodhë".

A është Xavi gati për ta pasuar Koeman, për gjashtë muaj, një vit apo…?

Unë mendoj kështu. Nëse më pyesni a e imagjinoj Xavi në stolin e Barçës, pa u keqkuptuar nga trajneri aktual, sigurisht që po. Ai është duke u përgatitur për një kohë të gjatë, duke studiuar dhe stërvitur. Xavi ka besimin e duhur për t’u përballur me këtë sfidë.

Si e ndoqët lamtumirën e Messit, për të cilën ka disa teori mbi fajtorin?

E vetmja gjë që mund të bëj është të vlerësoj nga jashtë, vetëm njerëzit e përfshirë drejtpërdrejt e dinë se çfarë ndodhi apo jo. Më duket e çuditshme dhe mendoj se është e njëjta gjë për njerëzit e tjerë, të shoh Leon me një fanellë tjetër. Dëshira ime ishte që të vazhdonte te Barcelona, por ndonjëherë skenarët ndryshojnë dhe ne duhet të marrim rrugë të ndryshme. Padyshim që situata që ka lindur nuk ka qenë e lehtë të përthithet.

A keni folur me të? Jo, jo, nuk kam folur me të.

Po ju, e keni imagjinuar ndonjëherë veten larg Barcelonës? Jo …poof… mmm… Ndoshta vitet e para, kur nuk luaja shumë dhe flitej për transferimin tim diku tjetër, por mendoj se ishte diçka më e jashtme. Doja të fitoja te Barcelona, kam bërë gjithçka për të arritur në ekipin e parë. Unë këmbëngulja, prisja me durim mundësitë dhe pastaj gjithçka shkoi shumë mirë. Asnjëherë nuk kam menduar të ndryshoja ekip, doja ta mbyllja te Barcelona. Ky ishte gjithmonë mendimi im. Nuk e dija që do të vinte dita kur do të ndieja se duhet të vazhdoja të luaja diku tjetër, jo me Barçën, prandaj edhe u largova. Do të doja që ajo dëshirë të ishte realizuar atje dhe askund tjetër.

Si e imagjinoni tridentin Messi-Neymar-Mbappé?

PSG ka një ekip të madh në çdo repart. Ata lojtarë të mëdhenj, mund të bëjnë gjëra të mira vetëm kur luajnë së bashku. Pastaj duhet të shohim se cili do të jetë evolucioni si grup dhe sa larg mund të shkojnë. Në Evropë ka klube të tjerë të mëdhenj. Pastaj, PSG nuk ka vetëm ata të tre, e gjithë skuadra është e nivelit më të lartë.