Transmetuar më 23-09-2021, 21:53

Familjarët e Kozak Braçit, të riut të bërë të famshëm në rrjetet sociale, denoncuan sot në polici rrëmbimin e tij.

Kjo pasi panë në Instagrami-n e tij një video LIVE, ku ishte rrëmbyer dhe po rrihej nga 4 persona në makinë.

Këta të fundit e kishin futur me dhunë në automjetin e tyre pasi Braçi kishte dalë nga taksia. Në video ata i kërkonin që t’i kërkonte falje Fabio Dushkut.

Me fjalë fyese e me goditje ata dëgjoheshin: “Kështu është kur shan Fabio Dushkun”. Ky emër nuk është i padëgjuar për shqiptarët.

Kohë më parë një video u bë virale ku Fabio Dushku, bënte ligjin në një burg grek. Teksa mbante një flamur shqiptar në dorë kishte mbledhur të gjithë të burgosurit dhe u kërkonte llogari. Reagimi i Dushkut erdhi pasi në burg dikush kishte ofenduar shqiptarët dhe i riu nga Mirdita mori në mbrojtje bashkëkombësit e tij.

Sherri mes dy të rinjve shqiptarë nisi pasi Dushku kishte përmendur emrin e Braçit në një video LIVE. Këtë nuk e ka duruar ky i fundit dhe nuk ka reshtur së ofenduari mirditorin.