Transmetuar më 25-09-2021, 18:34

Rriten tensionet në Veri të Kosovës. Nisur nga situata e krijuar Albin Kurti do të mbledhë Këshillin e Sigurisë së Kosovës për të diskutuar në lidhje me situatën në veri të vendit, ku protestat e provikimet serbe vijojnë prej shpalljes së reciprocitetit të targave nga ana e Qeverisë së Prishtinës.

Mbledhja do të mbahet mbrëmjen e sotme, ndërkohë që kryeministri i Kosovës mbrojti aksionin e forcave speciale të policisë në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Ai tha se nëse nuk do të ishte policia e Kosovës, këto dy pika kufitare do të ishin djegur tashmë, ashtu siç u dogj zyra e targave në veri të Mitrovicës.

“Paramendoni se çfarë do të ngjante në pikat 1 dhe 31 sikur të mos ishte aty policia speciale? Sulmet e sotme janë dëshmi se kjo është synuar edhe në pikat në Jarinjë dhe Bërnjak. Po ashtu u vërtetua se ne kemi pika kufitare, sepse kemi Njësi Speciale të policisë. Asnjë incident në asnjë pikë kufitare në ditën e gjashtë të vendimit të zbatimit të qeverisë së Kosovës. Aty ku ka Polici të Kosovës nuk ka incidente aty ku nuk ka Polici ka incidente siç ndodhi në Zubin Potok”, tha Kurti.

Ai iu përgjigj edhe ministrit të Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, që më herët e quajti “budalla” që po nxit konflikt në Ballkan.

“Së pari fluturaket serbe duket që janë përgjigje edhe ndaj deklaratës së Escobar që tha se nuk bën të militarizohet situata dhe ata filluan që të përdorin avionë ushtarakë. Pra këtu thua se nuk e kanë veq me neve, ndërkaq së dyti, Vulin mjafton të thuhet për të se ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së MIllosheviqit që aso kohe është quajtur Jul dhe i përkiste atyre zyrtarëve serbë që e konsideronte që Millosheviqi nuk është mjaftueshëm radikal. Pra besoj që kjo e shpjegon plotësisht se për kë bëhet fjalë dhe çka thotë, kur thotë atë që ju e parafrazuat”, tha Kurti.

Vulin i cili njihet për ofendimet drejtuar Kosovës dhe retorikën e tij nacionaliste e ka fyer kryeministrin Albin Kurtin duke e quajtur “budalla”. Siç ka thënë Vulini, për të ndezur luftën duhet vetëm një budalla dhe sipas tij ai person gjendet në Prishtinë, duke iu referuar kryeministrit, Albin Kurti.