Transmetuar më 27-09-2021, 12:34

Fill pas vizitës së Ramës në Prishtinë, Beogradi ka bërë lëvvizjen e radhës në Veri të Kosovës.

Serbia ka vendosur katër automjete të blinduara të cilët janë pozicionuar më pak se dy kilometra nga zona kufitare.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë tha se njësitë e Ushtrisë Serbe janë në gatishmëri të lartë luftarake në garnizonet e Rashkës dhe Novi Pazarit.

"Ushtria jonë nuk provokon, por është e gatshme t’i mbrojë njerëzit nëse ndodh ndonjë gjë që rrezikon jetën e tyre. E rëndësishme është të shoh që këta njerëz janë gati”, tha ai.

Ndërsa në konferencën e përbashkët për shtyp mes dy kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti u kërkua që Serbia të ndalë këto veprime teatrale.

“Sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, siç pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar”, tha Rama.

Këtë koment ai e ka bërë pas raportimeve së ditëve të fundit aeroplanë ushtarakë të Serbisë kanë fluturuar afër pikë kalimeve. Mediat në Serbi kanë raportuar për lëvizje të ushtarëve dhe mjeteve tjera ushtarake në drejtim të kufirit me Kosovën. Sot është dita e tetë e tensionimit të situatës mes Serbisë dhe Kosovës që erdhi pas vendimit për zbatimin e reciprocitetit mes dy shteteve për targat e përkohshme.