Transmetuar më 30-09-2021, 13:05

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë të enjten nga Brukseli se është arritur marrëveshje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Në një letër të publikuar nga Lajçak në rrjetin social Twitter, shihet se palët janë pajtuar për tri pika kyçe:

-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, në orën 08:00 deri më 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes së zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

-Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi si masë e përkohshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

– Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Lufta për targat/ Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje në

Që nga 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit për targat me Serbinë, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar pas vendosjes së reciprocitetit, në Bruksel, të mërkurën dhe të enjten, po mbahen bisedime, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Më 29 shtator, kreu i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi tha se është arritur pajtimi për një draft-marrëveshje, e cila pret që të marrë pëlqimin edhe të palës serbe.

Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.