Transmetuar më 06-10-2021, 09:59

‘Ballkani Perëndimor i takon BE-së, dhe ne i duam ata në familjen tonë evropiane’. Ka qenë kjo deklarata para mediave e Kryetarjes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në samitin me vendet e Ballkanit Perëndimor që ka nisur punimet sot në Slloveni.

Von der Leyen ka deklaruar se ky është një samit i rëndësishëm me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo ka thënë se vendet e Ballkanit i takojnë familjes evropiane.

“Ne duam të dërgojmë një mesazh të vetëm dhe të qartë që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian, ne i duam ata në BE dhe familjen tonë evropiane. Ne ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtat vlera”, ka thënë Von der Leyen.

Ajo ka shtuar se 6 vendet kanë bërë shumë reforma dhe se duhet ende punë në sundimin e ligjit, lirinë e mediave, etj.

Kryetarja e Komisionit Evropian tutje ka shtuar se duan t’ia bëjnë me dije Ballkanit Perëndimor se BE-ja është partneri favorit për ta.

“Ne duam t’ju tregojmë se sa shumë kujdesemi për ta dhe se ne jemi partneri favorit për ta”, u shpreh Von der Leyen.