Transmetuar më 06-10-2021, 10:39

Universitetet nuk do të çelen më 11 tetor sepse rihapja e tyre është anuluar, bëjnë të ditur për noa.al burime nga ministria e Arsimit.

Shkak për anulimin e rihapjes është bërë diversioni i shkaktuar në Universitetet publike ku disa kanë pranuar urdhrin e ministres së Shëndetësisë që vaksina të jetë me detyrim dhe disa e cilësojnë si të paligjshme dhe antikushtetuese.

Në këto kushte, është menduar që të shtyhet me të paktën një javë rihapja e universiteteve publike në vend.

Si datë e re rihapjeje është menduar 18 ose 25 tetori, me shpresën se deri atëherë do të ketë më shumë studentë dhe pedagogë të vaksinuar. /noa.al

Në një përditësim të orës 13.40, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi ka lajmëruar zyrtarisht se universitetet nuk do të hapen më 11 tetor, duke dhënë 18 tetorin si datë të mundshme.

"Meqenëse fillimi i vitit të ri akademik po afron dhe ne duam që të gjithë ju, pa përjashtim, të hyni në auditorë pa rrezikuar shëndetin tuaj dhe të stafeve akademike, javën e ardhshme e kemi shpallur si "Java e vaksinimit masiv të studentëve.

E që kjo javë të jetë sa më produktive, me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve", thotë zonja Kushi.