Transmetuar më 08-10-2021, 14:51

Në kundërshtim me të gjitha rregullat e tregut të lirë dhe konkurrencës në dobi të konsumatorëve, qeveria e kryeministrit Edi Rama po mban me dorë të hekurt monopolin e OSHEE duke mos lejuar liberalizimin e shitjes së energjisë elektrike siç ndodh kudo në Evropë dhe më gjerë.

OSHEE, është operatori i vetëm i shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri. Një kompani që ka mjelë dhe mjel sistematikisht burimet natyrore shqiptare bashkë me kompaninë që administron prodhimin, KESH si dhe atë të transmetimit, OST.

Që të tria janë kompani shtetërore, por funksionojnë me hapësira të shumta pavarësie duke pasur kompetenca për shitblerje të energjisë.

Ndërsa në tetor 2021 çmimi për megavat është rreth 220 euro, nga janari deri në maj ishte 3 deri 4 herë më lirë. Lind pyetja përse nuk u ble energjia në atë kohë, duke u bazuar në parashikime vjetore aspak të vështira për të bërë një planifikim?

Për vetë faktin se administrimi i energjisë bëhet më së paku me papërgjegjshmëri, karakteristikë e shumë kompanive shtetërore, në thuajse të gjitha vendet e Evropës ka lindur nevoja që të liberalizohet tregu i shitjes së energjisë.

Në Italinë dhe Greqinë fqinje ka një mori kompanish konkurrente të cilat bëjnë që konsumatorët të përfitojnë nga shërbime dhe çmime më të mira.

Kurse në Shqipëri, edhe pse prej afro 10 vitesh është folur se do të liberalizohet ky treg, asgjë nuk u bë deri sot.

Në vitet kur qeveria e Berishës kishte pushtetin, OSHEE përfundoi në një administrim të poshtër nga një kompani e huaj e cila degjeneroi deri në dhënien e hapësirave për disa kompani private shqiptare që akuzonin përmes shitblerjes së borxheve.

Kompania çeke e shkatërroi edhe ajo sa mundi OSHEE-në dhe në fund, plot bujari, Edi Rama i dha një shumë të majme qindra milionë euro dhe e riktheu në shtetërore. Që nga ajo kohë, monopoli vazhdon dhe askush nuk flet më për liberalizim të shitjes së energjisë duke vënë shqiptarët përballë një operatori që rrit çmimet sa herë do për vetë faktin se është mundësia e vetme për pakëz dritë!