Transmetuar më 12-10-2021, 10:30

Një incident tronditës i ngacmimeve dhe shantazheve ka ndodhur në një shkollë të mesme duke torturuar një adoleshent dhe detyruar atë të durojë vuajtje dhe të paguajë për frikën se mund t’i bënin keq atij dhe familjes.

E megjithatë djali është dëmtuar sepse e kanë detyruar të hidhet duke thyer këmbën, në një episod shokues bulizmi ku disa djem pak më të mëdhenj që u duket vetja cuba, janë marrë për muaj të tërë me fëmijën e pambrojtur.

Ngjarja e trishtë që ka ndezur dilemën se çfarë duhet bërë me bulizmin, u regjistruan në qytetin grek Trizinia, raporton noa.al. Fëmija është i një familjeje emigrantësh shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi.

Për tre muaj, një grup djemsh ngacmonin dhe shantazhonin sistematikisht një nxënës 13-vjeçar të shkollës së mesme nga një familje emigrante, duke kërcënuar se do të dëmtonin familjen e tij nëse ai nuk u jepte para.

Sipas dëshmisë së nënës së fëmijës, e cila kontaktoi mediat lokale, 13-vjeçari ka vuajtur nga ngacmimet dhe shantazhet e të rinjve që nga gushti, megjithatë ajo vetë u informua, nga fëmija i saj, për problemin, vetëm ditët e fundit.

Djemtë kanë frikësuar dhe shantazhuar 13-vjeçarin duke i zhvatur para, ku shuma më e madhe ishte 150 euro.

Në fakt, kohët e fundit këta djem e detyruan djalin të hidhej nga një kontejner mbeturinash, si rezultat i së cilës ai theu këmbën.

Ditën e aksidentit, fëmija nuk shkoi në shkollë dhe mësuesit njoftuan nënën e fëmijës. Ajo e kërkoi dhe arriti ta gjejë diku larg shkollës në gjendje të mjerueshme me këmbë të thyer dhe duke qarë nga dhimbja. Ishte ky momenti kur më në fund i mituri iu hap nënës duke rrëfyer se ç’po hiqte prej afro tre muajsh.

Djali me këmbë të thyer

Nëna e të voglit tha për mediat se ishte përballur me shqetësimin prej disa javësh, por pa kuptuar se çfarë po ndodhte. "E shihja të shqetësuar, të trembur, të mbyllur në vetvete. Nuk fliste, vinte në shtëpi herë me dorën e vrarë, herë këmbën dhe thoshte se ishte lënduar me biçikletë. Më kërkonte para dhe thoshte se i duheshin për gjëra. Një ditë më kërkoi 150 euro për biçikletë dhe ia dhashë pa ditur se po shkonte t’ia jepte gjobëvënësve, dy djem rreth 25 vjeçarë".

Nëna e fëmijës denoncoi në Departamentin e Policisë dhe një grup hetimor gjeti autorët e dyshuar ndërsa kreu një hetim paraprak për rastin.

Hetimi nxori se këta djem që nuk ishin nxënës të shkollës, e kishin kthyer në punë dite bulizmin duke bërë të vuajnë edhe fëmijë të tjerë.

Megjithatë, siç ndodh shpesh në raste të tilla, goja e viktimave mbetet e mbyllur nga frika.  /noa.al