Transmetuar më 12-10-2021, 19:09

Nga foltorja e Kukësit, Berisha i ka shpallur ‘luftë’ edhe Aleksandër Vuçiç.

Ish-kryeministri tha se ndëshkimi për të gjitha krimet që Serbia ka kryer në Kosovë e Shqipëri, është shumë afër.

“Që nga Enver Hoxha deri më sot shqiptarët nuk kanë patur kurrë një kryeministër më antinjerëzor e antikombëtar si Rama. Ky nis mandatin e tretë pasi është shndërruar në vasal të verbër të Beogradit. Një vit më parë refuzoi të votonte rezolutën që dënonte gjenocidin serb në Kosovë se e urdhëronte padroni i tij Vuçiç. Garantoj qytetarët e Lumës dhe dua t’i çoj mesazh Sllobodanit të ri që do të njihet i gjithë gjenocidi serb ndaj shqiptarëve nga 1970 deri në 1999, përfshirë gjenocidin e Lumës, më të egrin të luftës ballkanike i dokumentuar. Përgatitu Sllobodan. Nëse ne dotë ngremë zërin do të dënojmë gjenocidin, e bëjmë këtë si kusht i të gjitha kushteve që Ballkani të ketë paqe”, tha Berisha.

Ndërsa e konsideroi Ramën, vasal të Beogradit ai e akuzoi atë se në këto 8 vite nuk ka ndjekur nismën e Berlinit, por të Beogradit:

“Edi Rama në këto 8 vite në vend që të ndjekë nismën e Berlinit që e udhëheq Gjermania, ndoqi nismën e Beogradit. Edi Rama nisma e Beogradit është vasalitet, është armiqësi për Kosovën dhe rrethim i hapur ndaj Kosovës. Ndaj dhe kohërat janë kritike dhe vendimtare”.