Transmetuar më 13-10-2021, 12:35

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se aksion i sotëm i Policisë ishte kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës

Ai në Facebook ka shkruar se herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

“Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se aksioni i sotëm policor ka përfunduar.

“U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, ka thënë ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ky operacion policor është në nivel vendi.

Ajo ka thënë se qëllimi i tij është parandalimi i veprimtarive kriminale dhe kontrabandimit të mallrave. “Kriminaliteti duhet të ndalohet dhe grupet kriminale duhet të ndëshkohen”, ka thënë ajo./ Koha.net