Transmetuar më 17-10-2021, 12:03

Kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Etjon Joka është lënë në arrest shtëpie.

Joka akuzohet për korrupsion në zgjedhje.

Ai pasi ishte i shpallur në kërkim dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar për të në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Para zgjedhjeve të 25 prillit, Jokës iu publikua një video, ku dukej duke bërë pazar për blerje votash në kryeqytet.

Në prill efektivët e Tiranës ndaluan edhe shtetasin Edison Babo, që ishte po ashtu protagonist në video, ku merrte para nga kandidati i LSI dhe premtonte për qytetarët vende pune pas zgjedhjeve, nëse LSI do të fitonte.

Teksa kërkohej nga autoritetet, Etjon Joka mohoi gjithçka duke pretenduar se ngjarja ishte e sajuar. Ai kërkoi nga Apeli i Gjykatës së Posaçme të heqë masën “Arrest në burg”, por kjo kërkesë u rrëzua nga trupa gjykuese.