Transmetuar më 18-10-2021, 21:32

Kryeministri Edi Rama ka folur mbrëmjen e sotme për protestat e studentëve kundër vaksinimit të detyruar, pasi një pjesë e tyre nuk janë pranuar në auditore për shkak se nuk ishin të vaksinuar. I pyetur nëse studentëve do tu mohohej e drejta për të studiuar nëse nuk vaksinohen, Rama u shpreh se nuk do të kalohet në ekstrem, por shtoi se studentët po ndikohen nga njerëz që përhapin lloj lloj konspiracionesh.

“Mendoj që nuk duhet të kalojmë në ekstrem që në momentin e parë, pasi është një proces që ka shumë interferenca nga individë që nuk kanë informacion dhe përhapin lloj lloj konspiracionesh për vaksinën”, tha kryeministri.

Përsa i përket “fajtorëve” që kanë sjellë këtë gjendje të universiteteve, kryeministri tha në Euronews Albania se dështimi është edhe i qeverisë.

“Patjetër ka dështuar edhe shteti dhe qeveria, por kjo është një çështje e një procesi që duhet bërë me këmbëngulje edhe nga universitetet, në mënyrë që të shfrytëzohen javët që janë përpara për të vazhduar me procesin e vaksinimit”, u shpreh Rama.