Transmetuar më 19-10-2021, 19:29

“Foltorja” e radhës e Sali Berishës u ndal në Dibër. Këtu ai përsëriti kërkesën për mbledhjen e forumeve të partisë për të vendosur për përjashtimin ose jo të tij nga grupi parlamentar i opozitës.

“Se i tha Flamur Noka ca fjalë, i tha je i shkarkuar dhe jo ashtu dhe jo kështu. Ky sikur ka bërë shkollën në Korenë e Veriut, jo në Holandë. Kryetar që ka frikë nga vota”, u shpreh Berisha.

Ish-Kryeministri komentoi edhe deklaratën e Bashës në mbledhjen e së hënës të grupit parlamentar demokrat, ku citohet të ketë thënë se është edhe Hoti nga nëna edhe Basha.

“Para dy muajsh, bëmë një muhabet me të. I them unë: Lul, mos u përziej në këtë punë, nuk i kam kërkuar ndihmë askujt, e kam çuar në gjykatë. I them: Lul, hotjanët e kanë një shprehje: ndihma e Zotit, pushka e Hotit. Kjo çfarë do të thotë, ndihma e Zotit, pena ime. Kjo është e vërteta. Tani ky thotë kështu. Edhe Bashët, edhe Hoti kanë pasur burra të penës dhe pushkës, burra të betejës dhe fitimtarë. Ti zotëri numëron vetëm humbje, humbje dhe beteja të dorëzuara. Kjo është e vërteta”, tha ai.

Mbështetësit dibranë i kërkuan Sali Berishës që të rikthehet dhe të marrë drejtimin e Partisë Demokratike dhe t’i udhëheqë në opozitë kundër Qeverisë.

“Doktor, na udhëhiq. Do ta dorëzojmë dokumentin (e anëtarësisë) me emrin Lulzim Basha. Nuk e mbajmë dot më dokumentin me emrin e këtij tradhtari”, tha njëri prej mbështetësve.

Berisha paralajmëroi protesta

“Atë e kanë marrë peng, por ju nuk mund t’ju marrim peng. Do të jemi më lart se në vitin 1990 se dimë 10 herë më shumë se në atë vit. Do e bëjmë partinë më të fortë, më të lirë. Atyre që nuk kanë ardhur, u them duke përdorur fjalët e kryetarit të degës së PD të Hasit, i cili ia tha Lulzim Bashës: kryetar, po erdhi Sali Berisha për Foltoren, unë do jem aty. Do të jem sepse unë nuk jam të nesërmen kryetar më. Domethënë baza ime është e tëra me të. Qytetarët, të cilëve Edi Rama iu dhunoi dhe rrëmbeu votën, do të votojnë në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë në protestat më të fuqishme që vendi ka njohur. Do të votojnë me protestat e tyre”, paralajmëroi Berisha.