Transmetuar më 20-10-2021, 11:20

Kryeministri britanik Boris Johnson është shprehur se Kina luan një rol "gjigant" në ekonomi dhe se ai pret që tregtia me Kinën të vazhdojë të rritet.

"Kina është një pjesë gjigante e jetës sonë ekonomike dhe do të jetë për një kohë të gjatë, gjatë gjithë jetës sonë," tha ai në një intervistë për “Bloomberg”-un.

"Nuk mund t’ju them se qeveria britanike do të shpërfillë çdo nismë e propozim bashkëpunimi nga Kina."

"Por kjo nuk do të thotë që duhet të jemi naivë në mënyrën se si e shikojmë infrastrukturën tonë kyçe kombëtare," tha Johnson, në përgjigje të pyetjeve në lidhje me përfshirjen e firmave kineze në energjinë bërthamore dhe rrjetet 5G në Britani. "Ato janë të gjitha shqetësime të përligjura për çdo qeveri".

Johnson shtoi se Britania e Madhe do të mbajë një qëndrim "të kujdesshëm" ndaj Kinës, që është një aktor kyç në trajtimin e çështjeve ndërkombëtare siç është ndryshimi i klimës.

"Ne duhet të jemi të kujdesshëm në lidhje me mënyrën se si i trajtojmë infrastrukturën kritike kombëtare dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta nga Kina … Kjo është arsyeja pse kemi hartuar disa nga ligjet që kemi tani," shtoi ai.

"Unë nuk jam kinofob, përkundrazi. Kina është një vend i madh, një qytetërim i madh," theksoi Johnson.

Duke iu përgjigjur komenteve, zëdhënësi i Ministrisë Kineze të Punëve të Jashtme Wang Wenbin tha: "Britania e Madhe është një mbështetëse dhe praktikuese e fortë e tregtisë së lirë, dhe Kina e Britania e Madhe janë partnere të rëndësishme tregtare dhe investimesh. Është në interesin e të dyja palëve të zhvillojnë bashkëpunim konkret mbi parimin e përfitimeve të ndërsjella dhe shpresojmë që Britania të krijojë një mjedis biznesi të drejtë, të hapur dhe jodiskriminues për ndërmarrjet kineze".

Kina, e cila këtë vit u bë tregu më i madh i importit i Mbretërisë së Bashkuar, i ka kërkuar vazhdimisht Londrës që të punojnë së bashku në çështjet me interes të përbashkët dhe të mos përfshihet në punët e brendshme të Kinës.

Britania e Madhe vitin e kaluar ndaloi kompaninë kineze të telekomit “Huawei” të përfshihej në rrjetin e saj 5G në vazhdën e rritjes së frikës nga ShBA-ja për spiunim, akuza që “Huawei” nuk i pranon.

Johnson-i është përballur me trysni për të bllokuar firmën bërthamore shtetërore kineze CGN që të bashkëpunojë me EDF-në franceze për ndërtimin e dy centraleve të reja bërthamore në Britaninë e Madhe.