Transmetuar më 20-10-2021, 14:08

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mohuar edhe njëherë se do të japë dorëheqjen.

Në një konferencë për mediat, Basha u pyet nga gazetarët se sipas një sondazhi 80% e demokratëve nuk e duan, dhe a do të jepte dorëheqjen për të mos e përçarë partinë.

Basha tha se sipas sondazheve të tij 95% të demokratëve duan që të vazhdojë betejën.

“Sipas sondazheve të mia 95% e demokratëve kërkojnë që unë të udhëheq betejën kundër regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe mbështesin axhendën e prezantuar nga unë për të pastruar llumin në politikë,” tha Basha.

I pyetur kush e ka autokolonën më të gjatë e kush i mbush sallat, Basha u shpreh “….Do dal përsëri. nuk jam nga ata që shfrytëzoj momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë dhe kush i mbush sallat më shumë, sepse e di që ajo është një garë e lehtë për mua dhe nuk është e drejtë ndaj askujt. As ndaj zotit Berisha, ta vendos në pozicion të tillë inferioriteti.”