Transmetuar më 22-10-2021, 15:26

Është duke bërë xhiron e botës lajmi i vrasjes në sheshxhirim i drejtores së fotografisë dhe plagosjes së regjizorit nga aktori Alec Baldwin. Ngjarja ndodhi në New Mexico.

“Pse më dhanë një armë të mbushur, pse më dhanë një armë të mbushur”? Kjo është pyetja që ka përsëritur disa herë pas ngjarjes aksidentale aktori i cili në foto shfaqet në gjendje të rënduar emocionale.

Policia amerikane ende nuk ka ngritur asnjë akuzë zyrtare, teksa hetimet po vijojnë në kuadrin e një ngjarje aksidentale. Aktori Alec Baldwin është paraqitur vetë në polici ku ka dhënë dëshminë e tij.

“Ai erdhi vullnetarisht dhe u largua pasi përfundoi dëshminë”, tha një zëdhënës i policisë. Në vitin 1993 Brandon Lee, djali 28-vjeçar i legjendës së arteve marciale, Bruce Lee, u qëllua dhe u vra në xhirimet e filmit The Crow, ku mori dy plumba vdekjeprurës.