Transmetuar më 23-10-2021, 20:03

Nga Kajro Kryeministri shqiptar Edi Rama premtoi sot se do të kujdeset personalisht për të vendosur një linjë të drejtpërdrejtë të fluturimit Kajro-Tiranë, siç tha ai, për pushimet e shqiptarëve.

"Do të kujdesem personalisht për të vendosur linjën e drejtpërdrejtë të fluturimit midis Kajros dhe Tiranës dhe anasjelltas. Nuk e di nga pala egjiptiane, por nga pala shqiptare ju siguroj që avionët nuk do të jenë kurrë bosh. Dhe, kjo linjë ajrore nuk do të jetë barrë për kompaninë, krejt e kundërta, do të ndihmojnë shumë shqiptarë që duan të bëjë pushimet këtu", tha Rama gjatë një konference për mediat me kryeministrin e vendit Moustafa Madbouly.

Por Rama duket të jetë i painformuar për dy aspekte. Së pari Kajro nuk është një vend pushimesh, por të tilla janë Sharm El Sheikh dhe Hurghada.

Së dyti, në të dyja këto zona pushimesh, ka prej shumë vitesh çarter, pra fluturime direkte, nga maji në shtator dhe madje edhe gjatë dimrit sidomos në dhjetor e janar.

Në këtë mënyrë, premtimi i Ramës mund të vlejë vetëm për udhëtime turistike për t’u njohur me kulturën dhe antikitetin e Kairos, por jo për të bërë pushime në lumin Nil. /noa.al