Transmetuar më 24-10-2021, 18:25

E rrallë, por e vërtetë. Një shqiptar ka vendosur të thyejë arrestin shtëpiak për t’u dorëzuar në polici, me qëllim që ta fusin në burg sepse nuk po duronte më që të rrinte me gruan në një strehë.

Emigranti shqiptar 30 vjeçar, u paraqit në policinë e Guidonia në Montecielo, raporton korrespondenti i noa.al në Romë.

Policët dëgjuan deponimin e 30 vjeçarit: "Nuk rrihet me gruan në shtëpi. Unë jam nën masën e sigurisë së arrestit shtëpiak dhe për këtë shkak më duhet që të qëndroj gjithë kohës në të njëjtën çati me time shoqe.

Por është bërë e pamundur të rrihet më aty. Më mirë më fusni në burg se të rri atje", ka deklaruar i riu shqiptar.

Djali tha se sherret në shtëpi nuk po ndaheshin, plot grindje hidh e prit, fyerje dhe sharje nga më të ndryshmet dhe një situatë e nderë që e bënte të zgjidhte më mirë burgun se shtëpinë.

30 vjeçari kishte disa muaj që ndodhej në arrest shtëpie për trafik droge dhe i kishin mbetur edhe disa vite që të fitonte lirinë e plotë, tha kapiteni Francesco Giacomo Ferrante i Karabinierisë në Tivoli.

Policia lokale e ka pranuar kërkesën e të riut shqiptar dhe e ka futur në një nga qelitë e burgut Regina Coeli. /noa.al

Foto arkiv, Reuters