Transmetuar më 25-10-2021, 11:47

Alec Baldwin është kthyer në personazhin më të komentuar në media pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në vrasjen aksidentale të kineastes Halyna Hutchins si dhe plagosjen e regjizorit të filmit “Rust”.

Një burim pranë aktorit të famshëm ka thënë se 63-vjeçari tani po anulon të gjitha projektet e tjera, pasi po kërkon që t’i kushtojë pak kohë vetes.

“Daily Mail” shkruan se Alec është parë të shtunën në mëngjes duke dalë nga një hotel dhe duke përqafuar bashkëshortin e të ndjerës, Matt. Madje thuhet se ka takuar edhe djalin e tyre 9-vjeçar, Andros.

“Kjo ishte shumë shkatërruese. Kështu i trajton a momentet e vështira. Sa herë që ndodh diçka e keqe, për një afat të shkurtër largohet nga sytë e publikut”, ka thënë burimi për revistën “People”.

Ndërkohë Baldwin së bashku me bashkëshortin dhe djalin e të ndjerës janë fotografuar duke u larguar nga një hotel në Santa Fe, të shtunën në mëngjes.

Bashkëshorti i Hutchins është shprehur se aktori Alec ishte i pranishëm gjatë ceremonisë së varrimit të saj. Hutchins vdiq në Spitalin e Universitetit të New Mexico pas aksidentit fatal.

Pas ngjarjes së rëndë, Matthew Hutchins postoi në “Twitter” një foto të gruas dhe djalit të tyre nëntë vjeçar, Andros, krahas së cilës shkroi: “Halyna na frymëzoi të gjithëve me pasionin dhe vizionin e saj, dhe trashëgimia që la është shumë domethënëse për t’u përmbledhur me fjalë. Humbja jonë është e madhe dhe kërkojmë që mediat të respektojnë privatësinë e familjes sime në këto momente të vështira”.

“Kam folur me Alec Baldwin dhe më ka mbështetur shumë”, tha ai ndër të tjera.

Nga ana tjetër, Baldwin reagoi në rrjete sociale pas tragjedisë, ku shkroi se ndihet i tronditur dhe i trishtuar për aksidentin që çoi në vdekjen e Hutchin dhe plagosjen e regjisorit Joel Souza.

“Nuk ka fjalë për të përcjellë tronditjen dhe trishtimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një gruaje, nëne dhe kolegeje,” shkroi Baldwin.

Ndërkohë një peticion i change.org, i cili bën thirrje që Hollywood-i të ndalojë përdorimin e armëve të zjarrit në sete filmike, ka mbledhur mbi 10,000 firma që kur u krijua të enjten.

Peticioni u nis nga miku dhe kolegu i Hutchins, drejtori Bandar Albuliwi, i cili shkroi në “Twitter”: “Duhet të sigurohemi që kjo tragjedi të mos ndodhë më kurrë. Nuk ka justifikim që diçka e tillë të ndodhë në shekullin e 21. Armët e vërteta nuk janë më të nevojshme gjatë xhirimit të filmave. Kjo duhet të konsiderohet e paligjshme, sepse ka kompjuterë me anë të të cilëve mund të krijohet një skenë me armë”.